Secondary Adv

FMN kërkon ristrukturim të regjimit tatimor te profesionet e lira, heqjen e taksës 0 te bizneset

FMN i kërkon qeverisë të vijojë me strukturimin e regjimit tatimor për profesionet e lira dhe të heqjes së taksës zero për bizneset e vogla.


Në konferencën e përbashkët për shtyp mes misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë, shefja e misionit të FMN-së, znj. Anke Weber, 

 

teksa vlerësoi arritjet për ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale, kërkoi të vijohet me heqjen e tatimit zero për profesionet e lira dhe bizneseve të vogla.

 

“Ekziston nevoja për të ruajtur përfitimet e arritura me mund, të qëndrueshmërisë fiskale. Një suficit i lehtë primar do ta vendosë borxhin publik në kahun rënës.

 

Përpjekjet për administrimin e të ardhurave që janë të parashikuara në strategjinë afatmesme që do të miratohet së shpejti, duhet të mbështetet nga përmirësimi i sistemeve informatike.

 

Përpjekjet duhet të nisin për ristrukturimin e regjimit tatimor për profesionistët e vetëpunësuar dhe të heqjes së normës tatimore zero për bizneset e vogla. 

 

Puna përgatitore për ligjin e ri për tatimin mbi pronat duhet të përshpejtohet dhe të përfundohet në kohën e duhur.”

 

Ndër të tjera znj. Weber vlerësoi se ekonomia shqiptare ka shfaqur një perfomancë të fortë dhe se PBB-ja ka tejkaluar prirjet reale falë sektorit të turizmit.

 

“Ne parashikojmë rritje reale të ekonomisë me 3,6 % ndër më të lartat në Europë”, tha ajo.

 

Analiza e FMN sugjeron se konjektura aktuale e ekonomisë është e favorshme dhe është koha e duhur për të ndërmarrë reforma vendimtare, për të siguruar rritje të qëndrueshme.

 

“Pavarësisht progresit ekonomia shqiptare vijon të mbetet përballë disa sfidave. Axhenda e reformave do të përgatisë Shqipërinë për t’u bërë pjesë tregjeve të BE-së”.

 

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Petrit Malaj, tha se ekonomia shqiptare ka treguar rezistencë të lartë ndaj 3 goditjeve të mëparshme, ajo e pandemisë së Covid-19, 

 

ngjarjes së tërmetit të 2019-s dhe luhatjeve të tregjeve të huaja, pas agresionit të Rusisë në Ukrainë.

 

 Ai vlerësoi se kapërcimi i këtyre sprovave përbëjnë sinjal pozitiv për ecurinë afatmesme të ekonomisë.

 

Me tej ai tha se rritja ekonomike në 6- mujorin e parë të 2024-s është 3,9 % në terma vjetore.

 

Duke u ndalur me radhë te treguesit ekonomik, ministri i Financave dhe Ekonomisë z. Malaj tha se të gjithë këta tregues tregojnë transformimin pozitiv të ekonomisë dhe krijimin e modelit të qëndrueshëm.

 

“Sektori i turizmit ka vijuar të jetë një burim i rëndësishëm për ekonominë e vendit. Sinjalet e para për 3 mujorin e tretë janë premtuese. Bazuar në këto zhvillime kemi rishikuar me rritje parashikimet për rritjen ekonomike.

 

Inflacioni ka arritur një trajektore rënëse. Nivelet e inflacionit kanë qenë më të ulëta sesa mesatarja e Bashkimit Europian.

 

Flukset në rritjet nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja kanë ndikuar në forcimin e lekut.

 

Gjatë gjysmës së parë të 2024 kemi parë zhvillime pozitive në këto komponentë, në rritjen e të ardhurave nga sektori i turizmit me 25,4% dhe të remitancave prej 15%. Këto kanë ndihmuar në ngushtimin e deficitit”.

 

Malaj u ndal edhe në disa aspekte të projektbuxhetit 2025. Sipas tij projektbuxheti materializon 4 pika kryesore, rritje të qëndrueshme ekonomike prej 3,9% në 4 vitet e ardhshme, investime, mbrojtje sociale ku kemi alokuar 100 mln euro më shumë se vitin e kaluar. 

 

Ulja e borxhit publik në 55.8%.

 

Edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko vlerësoi se ekonomia ndodhet në një moment pozitiv zhvillimi.

 

“Punësimi dhe pagat kanë shënuar rritje të shpejtë në 6 mujorin e parë të këtij viti. Inflacioni në rënie ka qëndruar në nivelet 2%. 

 

Borxhi publik janë në rënie, duke qëndruara në nivelet më të ulëta në dekadën e fundit. Sektori bankar shfaqet i shëndetshëm.

 

Sejko tha se projeksionet e ekonomisë për të ardhmen mbeten pozitive.

 

“Rritja ekonomike do të variojë në nivelin 3,5% deri në 4% në vitin aktual. Inflacioni pritet të mbetet i ulët dhe në kontroll, duke qëndruar afër objektivit tonë prej 3%”, tha ai.

 

/Monitor (https://monitor.al/fmn-kerkon-ristrukturim-te-regjimit-tatimor-te-profesionet-e-lira-heqjen-e-takses-0-te-bizneset/)


Më të lexuarat