Dita Kombëtare e Alfabetit, sot publikohet drafti i fjalorit të Gjuhës Shqipe
22 Nentori, Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur dhe festë zyrtare e Shqipërisë do të përkujtohet sot me publikimin e draftit të fjalorit të rinovuar të Gjuhës Shqipe.
22 Nentori, Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur dhe festë zyrtare e Shqipërisë do të përkujtohet sot me publikimin e draftit të fjalorit të rinovuar të Gjuhës Shqipe, i cili është fryt i një pune gati 4 vjeçare dhe do të përmbajë rreth 120 mijë fjalë, gati trefishi i fjalorit aktual.
Më pas fjalori do të hidhet për konsultim të gjerë publik.
I pranishëm dje në Kuvendin Kombëtar për Gjuhën Shqipe Rama nënvizoi se ky fjalor është pjesë e rezistencës për të mbrojtur gjuhën shqipe nga gjithfarë barbarësh dhe injorantësh që gjejnë hapësirë në rrjetet sociale.
“Do të prezantohet publikisht edhe drafti i këtij fjalori.
Do hidhet në konsultim të gjerë publik dhe do merren opinionet dhe sugjerimet, vërejtjet, kontribute që me gjasë mund ta pasurojnë, por me siguri do ta konsolidojnë si produktet të përbashkëta të një rezistence të domosdoshme
dhe një përpjekje që ne nuk e kemi të mundur të jemi në sulm se jemi nën agresionin e barbarisë dhe gjithfarë lloj injorantësh që gjejnë hapësirë falë botës së re të rrjeteve sociale.
Por e kemi detyrim, të jemi në mbrojtje dhe të mos lejojmë që gjuha të degradojë në pikën e moskthimit”, u shpreh dje Rama.
Ndërkohë sot vijon dita e dytë e Kuvendit Kombëtar për Gjuhën Shqipe ku diskutohen sfidat dhe mundësitë e gjuhës shqipe në epokën moderne.
Ky Kuvend i pari për gjuhën ka bashkuar përfaqësues të institucioneve arsimore figura të shquara nga arsimi, gjuhësia, letërsia, kërkimi shkencor dhe komunikimi publik, si dhe të rinj, nxënës dhe gjimnazistë.
22 nëntori ka simbolikë të veçantë dhe specifikon momentin më të madh unifikues të shqiptarëve, në përkujtim të Kongresit të Manastirit, i zhvilluar mes datave 14 deri në 22 nëntor të vitit 1908 për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
Dita e Alfabetit Shqip u shpall festë Kombëtare nga Kuvendi në shkurt të këtij viti dhe e sotmja është hera e parë që kremtohet si festë zyrtare. /Shqiptarja.com