Secondary Adv

Tregtia me rajonin: Tkurren eksportet me të gjitha vendet, përveç Bosnje Hercegovinës

Tregtia mes Shqipërisë dhe vendeve të rajonit ndoqi të njëjtën linjë me tregtinë e jashtme në tërësi gjatë periudhës Janar-Tetor 2024.

Shifrat konfirmojnë se ky vit nuk ka qenë ndër më të mirët për shkëmbimet tregtare rajonale. Konkretisht, gjatë 10-mujorit të këtij viti eksportuam 14% më pak dhe importuam 1% më pak mallra se vjet.

 

“Scan Intel” ka analizuar shifrat për të kuptuar marrëdhëniet tregtare me vendet e rajonit. Sipas të dhënave të INSTAT, eksportet treguan një tendencë kryesisht negative.

 

Bosnje Hercegovina ishte i vetmi partner që shënoi një rritje, megjithëse të vogël, prej 0.9%. Ndërkohë, eksportet drejt Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut pësuan rënie të theksuar prej 22.6% dhe 27.6%, përkatësisht.

 

Gjithashtu, eksportet drejt Serbisë ranë me 10.3%, ndërsa ato drejt Kosovës, partnerit tonë kryesor tregtar, u tkurrën me 8.5%.

 

Nga ana tjetër, importet për 10-mujorin e këtij viti ishin 1% më pak se në të nëjtën periudhë të një viti më parë. Në kontekst rajonal, importet nga Bosnje Hercegovina u rritën me 3.5%, duke arritur në 2.06 miliardë lekë, ndërsa ato nga Mali i Zi u rritën me 5.8%, duke regjistruar një total prej 2.04 miliardë lekësh.

 

Megjithatë, situata nuk ishte aq optimiste me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, ku importet ranë respektivisht me 14.5% dhe 13.5%.

 

Një zhvillim interesant është rritja e ndjeshme e importeve nga Kosova. Këtë 10-mujor vlera e importeve është 40.4% më e lartë se vjet, duke arritur në 13.4 miliardë lekë.

 

Kjo rritje mund të jetë rezultat i një kërkese të shtuar për produkte specifike nga Kosova ose i përmirësimit të marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve. Në tërësi bilanci tregtar ishte pozitiv me të gjitha vendet e rajonit, përveç Serbisë me të cilin kemi një deficit prej 10.7 miliardë lekësh.

 

Por çfarë mallrash shkëmbejmë me vendet e rajonit?

 

Tregtia me Kosovën,përqendrohet kryesisht te importi i ushqimeve, pijeve dhe duhanit, ndërsa eksportet dominohen nga materialet e ndërtimit dhe metalet.

 

Me Serbinë, mallrat kryesore të importuara janë produktet ushqimore, ndërsa eksportet konsistojnë në minerale, energji dhe lëndë djegëse. Maqedonia e Veriut mbetet një partner strategjik për tregtinë e mineraleve dhe energjisë si në import edhe në eksport,

 

ndërsa marrëdhëniet tregtare me Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën fokusohen kryesisht te materialet e ndërtimit dhe produktet ushqimore. /Scan


Më të lexuarat