Secondary Adv

200 kompanitë me fitime më të larta, koncesionet ua lënë vendin ndërtimeve

Pas një dominimi prej gati një dekade, koncesionet zbresin nga froni i biznesit më fitimprurës në vend, duke ia lënë vendin ndërtimit.

Normat e larta të fitimit të ndërtimit, po orientojnë ekonominë drejt këtij sektori, pa ndikim në rritjen e qëndrueshme afatgjatë të vendit. Euro e dobët ka përmirësuar fitimet e distributorëve dhe është reflektuar disi në çmimet e konsumit, ndërsa ka qenë fatale për industrinë, që po konkurrohet nga importet e lira dhe eksportuesit, të cilët janë drejt falimentit.

 

Shërbimi dentar dhe estetik po lulëzon nga interesi i lartë i të huajve. Rritja e turizmit një shans i madh për industrinë e akomodimit, por hotelet po pengohen në vrullin e tyre nga nënçmimi i monedhës së përbashkët. “Leverdia” është shumë më e lartë me fshatrat turistikë.

 

Ornela Liperi

“Investimi në industrinë përpunuese është shumë i lodhshëm, kërkon shumë angazhim dhe ka norma fitimi të ulëta. Më mirë investoj në një pallat, kaloj vetëm një herë dhe apartamentet shiten vetë”, më thoshte pak më parë një nga sipërmarrësit më të mëdhenj të industrisë përpunuese.

Shprehja e tij, në fakt, përmbledh me një fjalë atë që po ndodh me ekonominë shqiptare. Pas “rënies” së koncesioneve, kapitalet e lira po investohen në pjesën më të madhe në ndërtim, kryesisht pallate apo dhe fshatra turistikë.

Arsyeja është e thjeshtë, kthimi është shumë i shpejtë dhe i lartë, telashet janë të pakta. Edhe qeveria po u jep një dorë bizneseve nëpërmjet miratimit të lejeve pa fund të ndërtimit, si në kryeqytet, ashtu dhe në bregdet.

Si çdo vit, Revista publikon renditjen e “Monitor 200”, sipas fitimeve, pas asaj të “200 më të mëdhenjve”, sipas të ardhurave, që bazohen në listën e marrë nga Tatimet dhe bilancet e depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).

 

Për të dytin vit radhazi është i dukshëm dominimi i ndërtimit dhe rënia e industrisë. Gati 25% e sipërmarrjeve në listën e “Monitor 200”, sipas fitimeve, janë nga ndërtimi ose të lidhura me të, më shumë se çdo sektor tjetër. Vetëm 6 shoqëri me kapital vendas me aktivitet në industrinë përpunuese janë në listën e më të mëdhenjve sipas fitimeve, nga rreth 40 në listë, që ushtrojnë aktivitet në ndërtim.

 

Të dhënat e rishikuara të INSTAT për Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) të 2023 bënë të ditur se në rritjen e vendit me 4.2% në vitin 2023, ndërtimi kishte rolin kryesor, me 0.98 pikë përqindje, duke ndikuar në gati një të katërtën e rritjes. Aktiviteti i dytë është “Akomodimi dhe shërbimi ushqimor”, (0.95 pikë përqindje), por efekti real në biznesin e hotelerisë dhe shërbimit ushqimor është i ulët për shkak të gërryerjes së të ardhurave nga rënia e vazhdueshme e Euros.

 

Në kahun e kundërt, si bujqësia ashtu dhe përpunuese dhanë ndikim negativ (përkatësisht -0.31 dhe -0.46 pikë për qind), duke mos u bërë pjesë e zinxhirit të vlerës që potencialisht duhet të sillte turizmi, teksa konsumi nga ky i fundit po nxit më shumë importet. Të dhënat e përpunuara nga “Monitor”, bazuar në renditjen e 200 kompanive me fitime më të mëdha në vend, tregojnë se fitimet e sipërmarrjeve të mëdha kanë arritur nivelin më të lartë historik në vitin 2023, ndonëse rritja është ngadalësuar dukshëm në raport me 2022.


Fitimi total për 200 kompanitë më të mëdha, në vitin 2023, ishte 178 miliardë lekë, me rritje prej gati 3% në krahasim me fitimin e realizuar nga subjektet e listës së njëjtë të vitit të mëparshëm. Një vit më parë, bizneset i zgjeruan fitimet me 50%, që në atë kohë u ndikua nga përmirësimi i rezultatit financiar të sipërmarrjeve të energjisë, ndërtimit, tregjeve financiare, industrisë së metaleve e mineraleve, tregtuesve etj. Në 2023, treguesit privatë të energjisë panë tkurrje të fitimeve, si rrjedhojë e rënies së çmimeve të tregtimit në bursa.

 

Në të kundërt, ky ishte një vit i mbarë për sipërmarrjet shtetërore të prodhimit,tregtimit e transmetimit të energjisë, që rikuperuan dukshëm humbjet e një viti më parë. Rritja e fitimeve në 2023 u udhëhoq nga ndërtimi, si i rrugëve, rezidencial, ashtu dhe i fshatrave turistikë. Bankat shënuan gjithashtu vitin më të mirë historik, si rrjedhojë e zgjerimit të marzhit mes interesave të depozitave e kredive.


Vetëm 33% e kompanive në listën e “Monitor 200” deklaruan rënie të fitimeve në vitin 2023 në krahasim me vitin e mëparshëm. 35% e kompanive në listë kishin një normë fitimi midis 10 dhe 30%; 27% e kompanive e kishin normën mbi 30% dhe 38% e sipërmarrjeve më pak se 10%.


Kufiri i kompanisë së 10 për nga fitimet në vlerë absolute në 2021 ishte 2.2 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2022, u rrit në 3.6 miliardë lekë, për të arritur në 4 miliardë lekë në 2023. Pragu i hyrjes në renditjen e “Monitor 200” në vitin 2023 ishte rreth 177 milionë lekë, njësoj me vitin e mëparshëm.  

 

 

Sektorët që fitojnë më shumë

Sidomos ndërtimi po tërheq vitet e fundit kapitalet e lira të sipërmarrjeve, i nxitur nga normat e larta të fitimit, të fryra edhe nga hyrja e parave informale në ekonomi. Si asnjëherë tjetër në listën e “Monitor 200”, sipas fitimeve, kishte 40 shoqëri, që janë të lidhura direkt ose indirekt me ndërtimin. Norma mesatare e fitimit të tyre është rritur vazhdimisht në katër vitet e fundit nga 10.8% në 2019-n, në 14.8% në 2020-n, 15.9% në vitin 2021, 19% në vitin 2022 dhe 26% në 2023.

 

Në vlerë, fitimet e 40 kompanive të ndërtimit dhe të lidhura me to u rritën ndjeshëm me 45%, për të dytin vit radhazi, duke shpjeguar dhe “dyndjen” e investimeve dhe kapitaleve të lira drejt ndërtimit. Koncesionet, një nga sipërmarrjet më fitimprurëse në dekadën e fundit, po bien nga piedestali, teksa shumica e tyre janë drejt përfundimit dhe për momentin nuk ka të reja, deri sa të fillojë vrulli i koncesionit të rrugëve, siç duket nga tendenca e qeverisë dhe e financave.


Energjia kishte një panoramë të kundërt me 2022. Tendenca në rënie e çmimeve të energjisë në vitin 2023 ishte në disfavor të prodhuesve privatë dhe tregtuesve privatë. Në të kundërt, sipërmarrjet shtetërore rikuperuan ndjeshëm humbjet që shënuan në vitin 2023. Prodhuesi i energjisë, KESH, që raportoi një humbje prej 27 miliardë lekësh në vitin 2022, ishte në 2023 sipërmarrja me fitime më të mëdha në vend, prej 13.5 miliardë lekësh.


Bankat shënuan vitin më të mirë historik, të ndikuara nga një ambient me norma të larta interesi, pas rritjes disa herë të normës bazë nga Banka e Shqipërisë. Në tregun financiar, sigurimet mbeten me norma të ulëta njëshifrore në fitime, si rrjedhojë e nivelit të ulët të primeve për frymë dhe në mungesë të një trendi për ndryshime në këtë aspekt.


Biznesi i kujdesit për shëndetin, një aktivitet me humbje prej më se një dekade, më në fund po fillon që të arrijë pikën e kthesës së rentabilitetit, teksa të ardhurat po barazojnë humbjet.


Në epokën e teknologjisë së informacionit, numri i sipërmarrjeve nga ky segment numërohet me gishtat e dorës, ndonëse normat e fitimit janë të larta. Normat e fitimit mbeten të ulëta edhe për distributorët e mëdhenj të produkteve që lëvizin shpejt nga rafti, ndonëse disa prej tyre kanë arritur të shtojnë fitimet nga nënçmimi i monedhës europiane.

 

Edhe për supermarketet, 2023 ishte një vit më i mirë, teksa Euro e lirë uli kostot dhe rënia e inflacionit nxiti blerjet. Kthimi i vendit në një destinacion turistik, krahas ndikimit direkt e indirekt në ekonomi, konsum, investime në struktura akomoduese, etj., po nxit edhe një segment tjetër, atë të turizmit shëndetësor.

 

Për herë të parë në renditjen e 2022, në listë ka shoqëri që veprojnë në ofrimin e shërbimeve estetike e atyre dentare, që shënuan dyfishim të të ardhurave. Por në 2023, rritja është ngadalësuar, në një sinjal se tregu po maturohet. Turizmi po nxit dhe biznesin e hotelerisë dhe të fshatrave turistikë, por kontrasti është i madh mes normave të fitimit.

 

Fshatrat turistikë po raportojnë norma kthimi shumë të larta, deri në 50%, ndërsa hotelet kanë fitime minimale, të ndikuara dhe nga rënia e Euros, që ndryshe nga pasuritë e paluajtshme e kanë të vështirë ta transferojnë në çmim. Tregtimi i hidrokarbureve në 2023 iu rikthye fitimeve. Ai mbetet sektori më pak fitimprurës në ekonomi, ndonëse ka qarkullim të lartë të parave, me norma që janë shpesh dhe më pak se 1%.

 

Të dhënat e përpunuara nga “Monitor”, bazuar në renditjen e 200 kompanive me fitime më të mëdha në vend, tregojnë se fitimet e sipërmarrjeve të mëdha kanë arritur nivelin më të lartë historik në vitin 2023, ndonëse rritja është ngadalësuar dukshëm në raport me 2022. Fitimi total për 200 kompanitë më të mëdha, në vitin 2023, ishte 178 miliardë lekë, me rritje prej gati 3% në krahasim me fitimin e realizuar nga subjektet e listës së njëjtë të vitit të mëparshëm.

 

Një vit më parë, bizneset i zgjeruan fitimet me 50%, që në atë kohë u ndikua nga përmirësimi i rezultatit financiar të sipërmarrjeve të energjisë, ndërtimit, tregjeve financiare, industrisë së metaleve e mineraleve, tregtuesve etj. Në 2023, treguesit privatë të energjisë panë tkurrje të fitimeve, si rrjedhojë e rënies së çmimeve të tregtimit në bursa.

 

Në të kundërt, ky ishte një vit i mbarë për sipërmarrjet shtetërore të prodhimit, tregtimit e transmetimit të energjisë, që rikuperuan dukshëm humbjet e një viti më parë. Rritja e fitimeve në 2023 u udhëhoq nga ndërtimi, si i rrugëve, rezidencial, ashtu dhe i fshatrave turistikë. Bankat shënuan gjithashtu vitin më të mirë historik, si rrjedhojë e zgjerimit të marzhit mes interesave të depozitave e kredive.

 

Vetëm 33% e kompanive në listën e “Monitor 200” deklaruan rënie të fitimeve në vitin 2023 në krahasim me vitin e mëparshëm. 35% e kompanive në listë kishin një normë fitimi midis 10 dhe 30%; 27% e kompanive e kishin normën mbi 30% dhe 38% e sipërmarrjeve më pak se 10%.

 

Kufiri i kompanisë së 10 për nga fitimet në vlerë absolute në 2021 ishte 2.2 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2022, u rrit në 3.6 miliardë lekë, për të arritur në 4 miliardë lekë në 2023. Pragu i hyrjes në renditjen e “Monitor 200” në vitin 2023 ishte rreth 177 milionë lekë, njësoj me vitin e mëparshëm

 

DHJETË KOMPANITË ME FITIMET MË TË LARTA NË VLERË ABSOLUTE

 

1.Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (Sh.a KESH)

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (Sh.a KESH) ka bërë një kthesë totale të ecurisë së aktivitetit në 2023, pas humbjeve të thella që pësoi në vitin 2022. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, të publikuara në buxhetin faktik 2023, prodhuesi shtetëror i energjisë ka rezultuar me të ardhura prej gati 42 miliardë lekësh në 2023, me rritje 14% (bilanci i kompanisë nuk është dorëzuar ende në QKB). Ndryshe nga 2022, kur raportoi humbje prej 26.7 miliardë lekësh, në 2023 fitimet arritën në 13.5 miliardë lekë, duke e renditur KESH-in në kompaninë me fitim më të madh në vend, në vlerë absolute.


“Viti 2023 ishte një periudhë me aktivitet intensiv për Korporatën dhe sektorin elektroenergjetik në përgjithësi. Ndërkohë që çmimet e energjisë ishin relativisht të qëndrueshme në periudhën 2010-2020,vitet 2021 dhe 2022 panë rritje të paprecedentë të çmimeve.


Megjithatë, në vitin 2023, çmimet ranë dhe u stabilizuan, duke lehtësuar presionin mbi ekonominë globale dhe duke ulur ekspozimin e Korporatës ndaj rreziqeve që paraqet tregu i energjisë nga çmimet e larta”, pohon Erald Elezi, Administrator i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Ai shton se në aspektin operacional, kushtet e favorshme hidro-meteorologjike të vitit 2023 sollën aktivitet të shtuar në prodhimin e Kaskadës së Drinit, ndryshe nga viti i vështirë hidrik 2022.


Ky ndryshim i performancës në prodhim theksoi sërish varësinë e lartë të gjenerimit të energjisë elektrike nga burimet hidro, për shkak të portofolit të prodhimit pothuajse 100% nga HEC-et. Në fakt, luhatjet vjetore të performancës financiare të KESH janë të mëdha. Viti 2022 p.sh. ishte shumë më i vështirë.


Në janar të vitit 2022, prodhuesi publik i energjisë, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) u ngarkua me detyrimin për të mundësuar të gjithë energjinë e nevojshme për klientët universalë, rol që më parë e kishte pasur Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.


Deri në fund të vitit 2021, Shoqëria KESH luante në sistemin elektroenergjetik shqiptar vetëm rolin e prodhuesit të energjisë, prodhim të cilin ia ofronte shoqërisë publike FSHU (Furnizuesi i Shërbimit Universal, pjesë e OSHHE Group), për aq sa KESH mund të prodhonte dhe kësaj të fundit i nevojitej, duke mos u ekspozuar nga rritja e çmimeve të energjisë në bursa.


Në vitin 2022, sfida më e madhe me të cilën u përball KESH ishin çmimet e larta të energjisë elektrike në tregun rajonal dhe më gjerë, dhe nevoja për sigurimin e energjisë elektrike në kuadër të detyrimit për shërbim publik në kushtet e optimizimit energjetik (gjenerim/import) dhe mbajtja në nivelet aktuale të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë. Shtrenjtimi i energjisë në vitin 2022 dha një efekt të rëndë në financat e KESH, që e mbylli vitin me një humbje prej 26.7 miliardë lekësh.

 

2.Trans Adriatic Pipeline AG Albania

Trans Adriatic Pipeline AG Albania ka si aktivitet kryesor në Shqipëri të planifikojë, zhvillojë dhe ndërtojë tubacionin e gazit natyror TAP. Pasi të jetë në funksion,TAP do të sigurojë kapacitetin transportues që u mundëson palëve të interesuara të tregtojnë gazin e tyre në tregjet europiane.


Shoqëria, sipas raportit të aktivitetit, është një zgjatim i operacioneve të zyrës qendrore dhe nuk kryen ndonjë veprimtari të pavarur. Objekti i vetëm i saj është të ndërtojë dhe mirëmbajë gazsjellësin që kalon në territorin e Shqipërisë dhe të trajtojë çështjet ligjore dhe tatimore që lidhen me një aktivitet të tillë në vend.

 

Ndonëse nuk ka aktivitet funksional, shoqëria deklaroi të ardhura të atribuuara prej 18.2 miliardë lekësh (rënie 28% me bazë vjetore) dhe fitime prej 8.3 miliardë lekësh (nga 8.7 miliardë lekë vitin e mëparshëm), që e rendisin atë të dytën për nga fitimet në vend, nga e katërta vitin e kaluar. Norma është 45%.

 

Sipas raportit vjetor, shoqërisë në Shqipëri i atribuohen të ardhura mbi bazën e kostove operacionale plus një marzh fitimi prej 12% deri sa gazsjellësi të ndërtohet dhe të hyjë në shfrytëzim. Pas fillimit të funksionimit, e ardhura përcaktohet bazuar në shpenzimet lokale operacionale (OPEX, të njohura sipas SNRF – standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit) të kryera nga Shoqëria gjatë një viti, plus një marzh fitimi prej 12% dhe plus një marzh prej 4.2% në shpenzimet kapitale të CAPEX, të njohura sipas SNRF. Kjo është aplikuar për vitin 2022 dhe 2023.


Kompania, sipas të dhënave në bilanc, ka paguar tatimfitimi në vlerën 570 milionë lekë tatimfitimi në 2023, nga 832 milionë lekë në vitin 2022.



3.Banka Kombëtare Tregtare

“Banka Kombëtare Tregtare” (BKT) është një “pjesëmarrëse e rregullt” në listën e 10 kompanive më të mëdha si për të ardhurat, ashtu dhe për fitimet. Për vitin 2023, renditet e treta, nga e dyta vitin e mëparshëm.

Fitimi para taksave i bankës më të madhe në vend (sipas të ardhurave e aktiveve) ishte 7.9 miliardë lekë (me rënie 29% në krahasim me vitin e mëparshëm), me një normë (fitim para taksave/të ardhurat) prej rreth 36%. Të ardhurat ishin 21.8 miliardë lekë, me rënie 6% në krahasim me vitin e mëparshëm.

Tkurrja e fitimeve në 2023 erdhi si rrjedhojë e shtimit të shpenzimeve për interesa dhe rënies së zërit “E ardhura neto nga aktiviteti shitës”, nga e cila banka kishte arkëtuar 5.7 miliardë lekë në 2022.

“Duke përfituar nga struktura e bilancit tonë, e cila është e mirëkapitalizuar dhe likuide, ne e mbyllëm vitin 2023 me fitim shumë të lartë: 26% kthim mbi kapitalin në USD.

Të ardhurat gjithëpërfshirëse janë në një rekord prej 118 milionë USD, i cili do të na lejojë të vazhdojmë me pagesën e planifikuar të dividendit prej 50 milionë USD në vitin 2024, ashtu si edhe në vitin 2023”, ka pohuar z. Seyhan Pencabligil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar Bordi i Bankës Kombëtare Tregtare.

 

4.Raiffeisen Bank

“Raiffeisen Bank” është ngjitur në vend të katërt në listën e “Monitor 200”, sipas fitimeve, nga e shtata vitin e mëparshëm. Fitimi para taksave ishte 7.8 miliardë lekë, me rritje 73% me bazë vjetore.

Norma e fitimit ishte gati 45.8%, me përmirësim të ndjeshëm në krahasim me vitin e kaluar. Të ardhurat arritën në 17.1 miliardë lekë (rritje 31%).

Përmirësimi i rezultatit financiar është ndikuar nga rritja e fortë e të ardhurave nga interesat dhe mbajtja nën kontroll e shpenzimeve të tyre.

“Në bazë të kontributit të të gjitha linjave të biznesit, fitimi neto pas tatimit (sipas Standardit SNRF) arriti në 6.48 miliardë lekë (ose 59.5 milionë euro) në fund të vitit 2023.

Ky është rezultati më i mirë që ka pasur ndonjëherë banka”, ka pohuar Christian Canacaris, Drejtor i Përgjithshëm, Kryetar i Drejtorisë, “Raiffeisen”, në raportin vjetor.

 

5.Devoll Hydropower

Devoll Hydropower (DHP), që në 2022 u rendit për herë të parë si kompania me fitimet më të larta në vend, ka zbritur në vend të pestë. DHP operon dy hidrocentrale të mëdha (Banja dhe Moglica), me kapacitet total të instaluar prej afërsisht 269 MW dhe një prodhim mesatar prej afërsisht 700 GWh / vit të energjisë së rinovueshme.

Në total, fitimi para taksave i deklaruar ishte 6.7 miliardë lekë, nga 21.8 miliardë lekë në 2023, ndërkohë që të ardhurat nga aktiviteti i shitjes së energjisë elektrike ishin 8.7 miliardë lekë, me rënie 53% si rrjedhojë e uljes së çmimeve të shitjes së energjisë.

Në fitimet e larta të vitit 2022 kishte ndikuar zëri “Kthimi i humbjes nga zhvlerësimi” prej 14.5 miliardë lekësh, pas rishikimeve të disa ndryshimeve në pritshmëritë e Shoqërisë në lidhje me të ardhurat nga shitja e energjisë elektrike, kostot e transmetimit dhe faktorë të tjerë.

Duke hequr këtë zë nga ecuria normale e aktivitetit, kompania kishte rezultuar me një fitim para taksave prej 7.3 miliardë lekësh në 2022.

“Viti 2023 vazhdoi të jetë vit i pazakontë në tregjet e energjisë, edhe pse më normal se viti 2022. Lidhur me prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentralet tona, duhet theksuar se edhe në vitin 2023, hidrologjia në ujëmbledhësin e lumit Devoll ka vazhduar të jetë shumë sfiduese, me reduktim të konsiderueshëm të prurjeve në rezervuarët tanë, krahasuar me prurjet historike. Kjo ka rezultuar në reduktim të konsiderueshëm të sasisë së prodhuar të energjisë.

Sasia e energjisë elektrike që kemi prodhuar në vitin 2023 ka qenë rreth 481 GWh, rreth 30% më pak se viti 2021, që ishte relativisht normal në aspektin hidrologjik.

Megjithatë, menaxhimi aktiv i energjisë ka rezultuar në një ecuri të mirë financiare të aseteve tona”, pohon z.Simen Bræin, Zv.President i Statkraft për Europën. Brenda 2025, kompania synon të përfundojë fizibilitetin e RP Moglica Shtesë.

“Projekti synon optimizimin e mëtejshëm të burimeve hidrike në rezervuarin e HEC Moglicë. Kapaciteti i instaluar i planifikuar për projektin është deri në 1620 MW (1200 MW +/- 35%), me sasi të mundshme të ruajtjes së energjisë deri rreth 28 GWh”.

 

6.Operatori i Sistemit Transmetimit (OST)

Operatori i Sistemit Transmetimit (OST) është një hyrje e re në 10 më të mëdhatë sipas fitimeve. Kompania shtetërore, që transmeton energjinë elektrike, ka raportuar një fitim prej 6.1 miliardë lekësh, me rritje 7 herë në krahasim me vitin e mëparshëm, ndërsa të ardhurat mbetën të pandryshuara në 10 miliardë lekë.

 

Sipas të dhënave në bilanc, përmirësimi ka ardhur nga ulja e ndjeshme e zërit “Shpenzime amortizimi dhe zhvlerësimi/rivlerësimi” dhe rritja e të ardhurave financiare neto. Operatori ka paguar 652 milionë lekë tatimfitimi në 2023, ndërsa vitin e mëparshëm kishte tatim të paguar tepër prej 58 milionë lekësh.

 

“Bilanci i shoqërisë për vitin 2023 ka rezultuar pozitiv. Të ardhurat totale për vitin 2023, në bilancin e shoqërisë, kanë rezultuar rreth 1% më të larta se një vit më parë. Rreth 49% të të ardhurave totale e zënë të ardhurat nga transmetimi i energjisë elektrike dhe 20% të ardhurat nga alokimi i kapaciteteve për interkoneksionet.

 

Shpenzimet totale për vitin 2023 kanë rezultuar rreth 40% më të ulëta se një vit më parë. Rreth 49% të tyre e zënë shpenzimet që lidhen me kostot e transmetimit”, pohon Skerdi Drenova, Administrator i Operatorit të Sistemit të Transmetimit.

 

7.Kurum International

“Kurum International”, me aktivitet në prodhimin, tregtimin e çeliqeve të ndërtimit e profileve të tjera të hekurit dhe energji ka zbritur në vendin e shtatë, nga i katërti në renditjen e vitit të mëparshëm. Fitimet ranë me 42% në 5.3 miliardë lekë. Të ardhurat ishin 38 miliardë lekë (-18%).

 

Ulja e të ardhurave lidhet kryesisht me rënien e çmimeve të hekurit të ndërtimit në bursat ndërkombëtare, e pritshme pas situatës së çmimeve të larta në 2021-2022, si dhe rënien në çmimet e energjisë, gjithashtu e pritshme pas krizës energjetike dhe periudhës së çmimeve të larta në vitin 2022.

 

“Viti 2023 ka qenë i mbushur me sfida për kompaninë, të cilat kanë vijuar edhe në 6-mujorin e parë të 2024. Në tërësi, kompania ka vijuar të performojë kënaqshëm në shifra dhe volume shitjesh, por pritshmëritë nuk janë realizuar, sidomos në sektorin e prodhimit dhe tregtimit të hekurit të ndërtimit, ndërkohë që sektori i energjisë ka vijuar të ketë ecuri të mirë”, thotë Erdal Demir, Administrator i Kurum International.

 

Ai pohon se si rrjedhojë e rënies së të ardhurave, ashtu si dhe vitin që shkoi, shoqëria momentalisht ka mbyllur procesin e prodhimit në fabrikën e çelikut dhe të petëzimit, ndërkohë që është arritur një marrëveshje me punëtorët për këtë çështje, duke u siguruar atyre që të mos penalizohen për shkak të mbylljes së aktivitetit të prodhimit.

 

8.OSHEE Group

OSHEE Group, Korporata Publike Shqiptare, që ka në pronësi tri shoqëri, Furnizuesin e Shërbimit Universal, Furnizuesin e Tregut të Lirë dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) është kompania më e madhe në vend sipas të ardhurave, me 75 miliardë lekë në 2023, pothuajse njësoj me vitin e mëparshëm.


OSHEE ka hyrë në vitin 2023 edhe në listën e 10 më të mëdhenjve sipas fitimeve. Operatori ka përmirësuar treguesit e përfitueshmërisë, duke raportuar fitime prej 4.6 miliardë lekësh në 2023, sipas të dhënave që Ministria e Financave ka publikuar në buxhetin faktik 2023.


Viti 2023 ishte pozitiv për OSHEE-në, edhe për faktin se për shkak të masave të ndërmarra nga Qeveria Shqiptare, duke filluar nga viti 2022, barra e importit të energjisë elektrike kryhet nga shoqëria KESH Sh.A. “Kjo e ngarkoi me përgjegjësi shoqërinë OSHEE, që gjatë vitit 2023, të përmirësonte situatën e saj financiare, të maksimizonte uljen e humbjeve në rrjet, rritjen e arkëtimeve me qëllim kryerjen e investimeve, të cilat ishin pezulluar gjatë periudhës së krizës.


Viti 2023 kishte në fokus konsolidimin e situatës financiare të shoqërisë, pas dy viteve të krizës, dhe rikthimin e investimeve në rrjet, me qëllim rritjen e cilësisë së furnizimit në gjithë Shqipërinë, por edhe në zonat me rëndësi strategjike turistike”, pohon Enea Karakaçi, administrator i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).

 

9.Tirana International Airport

“Tirana International Airport” (TIA), që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit, historikisht një prej bizneseve më fitimprurëse në vend, është për të tretin vit radhazi në listën e 10 më të mëdhenjve sipas fitimeve, pasi kishte dalë në vitin e pandemisë.


Në vitin 2023, fitimet e saj u rritën me 15% në 4.2 miliardë lekë, duke shënuar nivelin më të mirë historik. Të ardhurat ishin 10 miliardë lekë, me zgjerim prej 22%.


Të dhënat e INSTAT tregojnë se për vitin 2023, kishte rreth 7.3 milionë hyrje-dalje përmes ajrit, me rritje 44% krahasuar me një vit më parë, duke shënuar rekord historik, pas zgjerimit prej 75% vitin e mëparshëm.

“Sipas parashikimeve pritet që, deri në fund të këtij viti, të tejkalojmë shifrën e 10 milionë pasagjerëve, diçka e paimagjinueshme vetëm disa vite më parë.


Për shkak të rritjes së shpejtë të numrit të pasagjerëve, por edhe zgjerimit të linjave dhe mundësive të fluturimit për qytetarët shqiptarë dhe ata europianë”, pohon z. Shefqet Kastrati, President i Kastrati Group, që ka në pronësi TIA-n.


“Nuk është rastësi që investimet më të mëdha të grupit janë përqendruar në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, ku që prej fillimit të koncesionit janë investuar rreth 120 milionë euro”

 

10.Banka OTP Albania

Banka “OTP Albania” është renditur për të tretin vit radhazi në listën e 10 më të mëdhave. Fitimet arritën në 4.1 miliardë lekë, me një zgjerim prej 8.7%. Të ardhurat ishin 11 miliardë lekë (+53%).


Ky është viti i parë që “OTP Albania” ka të përfshirë dhe aktivitetin e “Alpha Bank”, pas bashkimit me përthithje me “Alpha Bank”, proces që u finalizua në dhjetor 2022.


“Sinergjia nga bashkimi i bankave u përshpejtua në raport me planin e biznesit, me qëllim kryesor optimizimin e kostove, e cila është ndër shtyllat kryesore të strategjisë sonë”, ka pohuar Bledar Shella, Drejtor i Përgjithshëm dhe Kryetar i Bordit të Menaxhimit, në një intervistë të mëparshme për “Monitor”. /Monitor (https://monitor.al/200-kompanite-me-fitime-me-te-larta-koncesionet-ua-lene-vendin-ndertimeve/)


Më të lexuarat