Secondary Adv

Tregu i kartave të kreditit u rrit më tej për 9-mujorin

Tregu i kartave të kreditit është zgjeruar më tej në nëntë muajt e parë të këtij viti.


 Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të shtatorit, numri i kartave të kreditit arriti në 121 793, në rritje me 1.8% që nga fillimi i vitit.

 

Ky produkt kishte hyrë në stanjacion që në vitin pandemik 2020, por megjithatë në dy vitet e fundit po jep sinjale të rritjes. Vitin e kaluar, numri i kartave të kreditit ishte rritur me 7.1%.

 

Sektori bankar po raporton një rritje të shpejtë të pagesave me kartë, të nxitur sidomos nga turistët e huaj. Kërkesa e tyre për të paguar me kartë po shtyn një numër më të madh biznesesh të pranojnë pagesa me këto instrumente, ndërsa gradualisht kjo tendencë po nxit edhe rritjen, ndonëse të ngadaltë, të numrit të kartave të kreditimit trë lëshuara nga bankat shqiptare.

 

Karta e kreditit është një produkt i konceptuar posaçërisht për pagesat jo cash, ndaj rikthimi rritjes së numrit të tyre mund të shpjegohet me një tendencë të përgjithshme të zgjerimit të pagesave elektronike në ekonominë shqiptare.

 

Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, vlera totale e pagesave me kartë arriti në 45.1 miliardë lekë, në rritje me 29.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa numri total i pagesave me kartë arriti në pothuajse 13.9 milionë, në rritje me 36.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë në mesin e këtij viti arriti në 23 496, në rritje me 26.5% krahasuar me një vit më parë.

 

Karta e kreditit është një produkt që deri më sot nuk ka arritur të zhvillohet shumë në tregun shqiptar. Zhvillimi i dobët i këtij produkti mund të lidhet sidomos me nivelin relativisht të lartë të informalitetit dhe me faktin se ekonomia shqiptare ka një përqindje të lartë të përdorimit të parasë fizike si instrument për transaksionet ekonomike.

 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare efektive e interesit e kartave të kreditit për 6-mujorin e parë 2024 (për shumat e deri në 200 mijë lekë) ishte 19.7% për kartat në lekë dhe 17.7% për kartat në euro.

 

Normat mesatare të interesit kanë pësuar rënie krahasuar me një vit më parë, por ngelen relativisht të larta në raport me produktet e ngjashme të kredisë konsumatore bankare. Bankierët shprehen se çmimi i lartë lidhet me shkallën relativisht të lartë të rrezikut që kartat e kreditit bartin si produkte kreditore, por edhe me ekzistencën e një periudhë faljeje, brenda të cilës klienti mund ta paguajë detyrimin pa interesa.

 

Tregu i kartave të kreditit vazhdon të dominohet nga dy banka, që zotërojnë mbi 70% të numrit total të tyre. Në fund të vitit 2023, Banka Kombëtare Tregtare dhe Raiffeisen Bank Albania zotëronin së bashku 70.5% të tregut, me një rënie të lehtë nga niveli prej 71.2% i vitit 2022.

 

Sipas statistikave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të vitit 2023 BKT zotëronte 36.3% të tregut sipas numrit total të kartave aktive, por pjesa e saj ka pësuar rënie prej nivelit prej 39.9% që mbante në fund të vitit 2022.

 

Ndërsa Raiffeisen Bank Albania vitin e kaluar shënoi një rritje në tregun e produktit, duke arritur në 34.1% të numrit të kartave, nga 31.3% që të tregut që zotëronte një vit më parë./Monitor (https://monitor.al/tregu-i-kartave-te-kreditit-u-rrit-me-tej-per-9-mujorin/)


Më të lexuarat