Secondary Adv

Depozitat në lekë rriten në tetor, ulen ato në euro

Depozitat në monedhën vendase kanë shënuar rritje në muajin tetor.

Në të kundërt kursimet në monedhën e përbashkët ishin në rënie, pas rritjes sezonale që kishin shënuar në muajt e mëparshëm. 

 

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë bënë të ditur se në muajin nëntor, stoku i depozitave në lekë arriti në 604.3 miliardë lekë. Në raport me muajin e mëparshëm, kursimet u rritën me 2.1%, ose 12.6 miliardë lekë më shumë. Kjo është rritja më e lartë mujore në vlerë, që nga janari.

 

Të dhënat e detajuara tregojnë se rritja ka ardhur në pjesën më të madhe nga dy elementë. Së pari kursimet e rezidentëve janë shtuar me 3.3 miliardë lekë. Së dyti në përmirësimin e depozitave në sistem kanë ndikuar sektori jo financiar publik, që ka depozituar 3.5 miliardë lekë më shumë. Edhe depozitat e bizneseve janë në rritje, por me ritme më të ngadalta.

 

Ndonëse janë në rritje, kursimet e individëve po orientohen serish drejt depozitave pa afat, duke reflektuar rënien e normave të interesit, pas politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë.

 

Me bazë vjetore, kursimet në lekë janë rritur me 10%, ose 57 miliardë lekë më shumë.

 

Ndryshe nga kursimet në lekë, ato në valutë kanë rëne lehtë me 0.3%, ose 30 milionë euro më parë, duke zbritur në 8 miliardë euro (Monitor raporton të dhënat e depozitave në valutë të shprehura në euro, për të shmangur efektin e kursit të këmbimit).

 

Me bazë vjetore, kursimet në euro janë rritur me 11%, ose 767 milionë euro më shumë. Ritmet e rritjes së depozitave në euro ishin të larta në korrik gusht e shtator, duke reflektuar efektet sezonal të prurjeve të emigrantëve si dhe të të ardhurave nga turistët. 

 

Gjithsesi ritmet e rritjes janë ngadalësuar ndjeshëm. Një vit më parë (tetor 2023/tetor 2022), kursimet në euro ishin rritur me 1 miliardë euro./ Monitor (https://monitor.al/depozitat-ne-leke-rriten-ne-tetor-ulen-ne-euro/)


Më të lexuarat