Miratohet akti normativ për kthimin e parave për profesionistët e lirë dhe bonusi për pensionistët
Akti normativ për kthimin e parave për profesionistët e lirë dhe bonusi i fundvitit për pensionistët janë dy vendimet që u miratuan sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
“Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme miratoi aktin normativ për kthimin e këstit të tatim fitimit të parapaguar nga profesionistët e lirë. Qeveria shqiptare që në krye të herës ka pasur vullnetin e plotë për të kthyer këto fonde tek profesionistët e lirë.
Ministria e Financave ndoqi rrugën ligjore duke iu drejtuar gjykatës Kushtetuese për të interpretuar dhe për të na udhëzuar se si duhet të vepronin. Gjykata Kushtetuese nuk u shpreh dhe na la të nënkuptonte se efektet që prodhoi ky ligj ishin legjitime , megjithatë qeveria shqiptare mori vendimin dhe bëri të mundur kthimin e fondeve tek profesionistët e lirë”, deklaroi ministri i Financave Petrit Malaj.
Nga bonusi i fundvitit për pensionet do të përfitojnë 724 mijë pensionistë, deklaroi ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.
“Krenar që sot miratuam bonusin e fundvitit, më i madhi ndonjëherë. Përfshihet edhe një kategori për penisionet e parakohshme të ushtarakëve. Për pensionet e invalidëve në fshat u rritet pensioni vjetor.
Efekti i fondit prej 100 milionë euro rrit me 9 % një pension prej 15 mijë lekësh për një vit. Shpërndarja e bonusit në pranverë, është më i madhi ndonjëherë në historinë e vendit. Pagesat do të nisin nga java dytë e dhjetorit, për të gjithë pensionistët”.