Secondary Adv

Sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në Tiranë arrin rekord të ri historik, 1.6 milionë m2

Nëse mendoni që Tirana ka shumë kulla, nuk keni parë gjë akoma. Numri i tyre do të jetë shumë më i lartë në vitet në vijim.

Sipërfaqja që është dhënë për leje ndërtimi në kryeqytetit për periudhën janar - shtator të këtij viti ka arritur një nivel të ri historik, duke tejkaluar nivelin e 2022-t, që mbante rekordin deri tani.

 

Sipas INSTAT, për 9 mujorin e këtij viti janë dhënë gjithsej sipërfaqe leje ndërtimi prej 1.58 milionë metra katror, me rritje prej 60% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Edhe në raport me 2022-n, që deri tani shënonte rekordin, sipërfaqja e lejeve është 8% më e lartë.

 

Lejet më të shumta janë dhënë në tremujorin e dytë dhe të tretë, përkatësisht me 666 dhe 684 mijë metra kator. Psh, në tremujorin e tretë u dhanë leje që ishin në sipërfaqe sa 70% e gjithë vitit 2023.

 

Këto leje ndërtimi të dhëna i përkasin një vlere prej 56 miliardë lekësh, ose rreth 560 milionë euro, sipas të dhënave të INSTAT.

 

Gjatë këtij viti, Këshilli Kombëtar i Territorit ka dhënë leje të shumta për godina të larta në Tiranë.

 

Sipërfaqja e dhënë për leje po rritet ndjeshëm, në një kohë që tregu i pasurive të paluajtshme duket se po arrin fazën e maturimit dhe aktorët e tregut pohojnë se ka filluar të ndihet rënia e kërkesës.

 

Të dhënat kombëtare

 

Sipas njoftimit të INSTAT, në tremujorin e tretë 2024 janë miratuar gjithsej 354 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 361 leje të miratuara në tremujorin e tretë 2023, duke shënuar një ulje prej 1,9 %.

 

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e tretë 2024 është 814.340 m2, nga 455.181 m2 miratuar në tremujorin e tretë 2023, duke shënuar një rritje prej 78,9 % .

 

Në tremujorin e tretë 2024, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 33.3 miliardë lekë, nga 18.9 miliardë lekë miratuar në tremujorin e tretë 2023, duke shënuar një rritje prej 76,1 %.

 

/Monitor (https://monitor.al/siperfaqja-e-dhene-per-leje-ndertimi-ne-tirane-arrin-rekord-prej-1-6-milione-m2-ose-560-mln-euro/)


Më të lexuarat