
FMN: Ka hapësira për të ulur normën bazë, jo ndërhyrje të panevojshme në kursin e këmbimit
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) vlerëson se ekzistojnë hapësira që Banka e Shqipërisë të ulë më shumë normën bazë të interesit vitin e ardhshëm.
Sipas deklaratës së fundit zyrtare të stafit të FMN-së ditën e martë, pasiguritë rreth ecurisë së inflacionit në të ardhmen kërkojnë që Banka e Shqipërisë të vazhdojë të ndjekë një qasje të politikës monetare të mbështetur në të dhënat e reja.
Stafi i FMN vlerëson se ulja me 0.25 pikë përqindje e normës bazë nga BSH në muajin nëntor ishte e përshtatshme, duke marrë në konsideratë se inflacioni qëndron poshtë objektivit.
Sipas deklaratës, në mungesë të goditjeve të rëndësishme inflacioniste, mund të ketë hapësirë për një ulje të mëtejshme modeste të normës bazë të interesit në vitin 2025.
Kjo do të zvogëlonte pritshmëritë inflacioniste në ekonomi, por do të zbuste gjithashtu presionet e mbiçmimit të lekut në kursin e këmbimit, duke mbështetur BSH-në në arritjen e objektivit të saj parësor për stabilitetin e çmimeve.
FMN thekson edhe njëherë se kursi i lire i këmbimit i ka shërbyer mirë Shqipërisë deri më sot dhe duhet të mbetet amortizuesi kryesor i goditjeve në ekonomi.
Analiza e stafit të FMN-së sugjeron se mbiçmimi i qëndrueshëm i lekut është nxitur kryesisht nga faktorë themelorë, si turizmi dhe produktiviteti. Prandaj, duhet të merret parasysh mundësia e një qasje më fleksiblël ndaj kursit të këmbimit, duke ruajtur normën bazë të interesit si mjeti kryesor të politikës monetare të Bankës Qendrore.
“Ndërhyrjet në tregun valutor duhet të jenë të kufizuara në numër dhe në shkallë, vetëm në rastet kur mbiçmimi i monedhës përforcohet nga faktorë jothemelorë. Ndërhyrje të tilla duhet të marrin në konsideratë kostot dhe përfitimet e akumulimit të mëtejshëm të reserves valutore, duke përfshirë rreziqet për bilancin e bankës qendrore, si dhe implikimet për transmetimin e politikës monetare dhe zhvillimin e tregut financiar,” thuhet në deklaratën e FMN-së.
FMN ka shprehur edhe në deklaratën e fudit vlerësime pozitive për stabuilitetin e sektorit bankar dhe financiar. Në përgjithësi, sektori bankar mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid me raporte mesatare të kapitalizimit ndjeshëm sipër kërkesave rregullatore.
Megjithatë, stafi i FMN-së vlerëson se ka hapësirë për forcimin e mëtejshëm të pozitave të kapitalizimit të bankave të veçanta.
Gjithashtu, sipas FMN-së, ekspozimet ndaj huamarrësve të mëdhenj dhe ekspozimi ndaj borxhit sovran përfaqësojnë burime rreziku për bankat, ashtu si zgjerimi i shpejtë i kredisë për sektorin e pasurive të paluajtshme, që përbën dy të tretat e kredive të pambrojtura në valutë.
FMN vlerëson se ekzistojnë hapësira për të përmirësuar më tej paketën e instrumenteve makroprudenciale të ndjekura nga Banka e Shqipërisë.
“Duke u mbështetur në progresin e BSH-së në mbledhjen e të dhënave të pasurive të paluajtshme, duhet t’i kushtohet vëmendje aplikimit të masave që bëjnë dallimin midis aktiveve në lekë dhe atyre valutore, për të ndihmuar në zbutjen e rreziqeve nga zgjerimi i shpejtë i kredisë për sektorin e pasurive të paluajtshme. Misioni mirëpret rritjen e normës kundërciklike të kapitalit dhe sheh përfitime të mëtejshme nga kalimi në një kuadër neutral pozitiv.
Duke pasur parasysh rreziqet e përqendrimit që lidhen me ekspozimet në borxhin sovran, misioni inkurajon finalizimin e një metodologjie gjithëpërfshirëse për rrezikun sistemik, krahas përpjekjeve të vazhdueshme për të zhvilluar dhe thelluar tregun dytësor të titujve dhe atë të parasë për të reduktuar rreziqet e likuiditetit të bankave, duke përfshirë ndryshimet në kuadrin ligjor që lidhet me marrëveshjet e riblerjes,” thuhet në deklaratën e misionit të FMN-së.
Në përgjithësi, FMN vlerëson se forcimi i mbikëqyrjes si të bankave, ashtu edhe të institucioneve financiare jobanka është i nevojshëm për të garantuar qëndrueshmërinë e sektorit financiar. Sipas FMN-së, përpjekjet e vazhdueshme mbikëqyrëse duhet të përqendrohen në sigurimin e respektimit të rreptë të kërkesave të kapitalizimit dhe nëse është e nevojshme, pezullimin e përkohshëm të dividendëve dhe përgatitjen e një plani të ruajtjes së kapitalit.
FMN mbështet gjithashtu ndryshimet e fundit të propozuara nga BSH në rregulloret për institucionet financiare jobanka, përfshirë ato që lidhen me mbrojtjen e konsumatorit dhe kreditimin e mikrofinancës.
Stafi i FMN-së vlerëson se përpjekje të mëtejshme mund të bëhen për rritjen e mbledhjes së të dhënave dhe monitorimit të rrezikut të sektorit financiar jobankar, duke përfshirë edhe përdorimin e Grupit Këshillues të Stabilitetit Financiar për një bashkëpunim efektiv ndërinstitucional.
/Monitor (https://monitor.al/fmn-ka-hapesira-per-te-ulur-me-tej-normen-baze-jo-nderhyrje-te-panevojshme-ne-kursin-e-kembimit/)
Më të lexuarat








