3.4 mln euro shtesë për Qukës-Qafë Plloçë, ARRSH hap tenderin për lotin e 1
Përfundimi i punimeve në lotin e parë të aksit rrugor Qukës-Qafë Plloçë do të bëhet me fonde buxhetore.
Autoriteti Rugor Shqiptar ka hapur tenderin, teksa fondi limit i vënë në dispozicion është 336 mln lekë, apo rreth 3.4 mln euro.
Tenderi për plotësimin e punimeve është hapur pas një verifikimi të kryer në terren mbi gjendjen ekzistuese të këtij aksi, duke marrë në konsideratë edhe kohën e gjatë që ka kaluar që nga nisja fillestare e punimeve.
Sipas dokumenteve të tenderit punimet në këtë segment kanë filluar në qershor të vitit 2009 dhe kanë përfunduar në dhjetor të vitit 2014.
Ndërkohë që, gjatë zbatimit të punimeve ndodhi një rrëshqitje massive, ku përveç fshatit që ishte në krahun e majtë të rrugës u dëmtua në një shkallë të konsiderueshme dhe trupi i rrugës, muret pritës prej betoni, veprat e artit si tombino etj.
Si rezultat i rrëshqitjes u bë spostimi i aksit në një gjatësi rreth 800 ml, i cili kishte një kosto shtesë prej 20% të vlerës së kontratës.
Por, edhe me fondet shtesë, objekti nuk përfundoi 100% dhe nuk u vendos në shfrytëzim, pasi mbetën pa u realizuar shtresat rrugore, sinjalistika horizontale, vertikale, siguria rrugore, disa elemente të urës, kunetat e betonit, kanalet, fibra optike. Për këto arsye, nevojiten edhe një sërë punimesh, në mënyrë që aksi të jetë i aksesueshëm për automjetet.
Përveç lotit I, për përfundimin e kësaj rruge aktualisht punohet edhe në 2 lote të tjera, ndërsa më herët është deklaruar se punimet parashikohet të përfundojnë në vitin 2025.
Aksi rrugor Qukës-Qafë Plloçë ka një gjatësi totale prej 43.8 km dhe do të jetë një rrugë e kategorisë C1 ku shpejtësia e lejuar do të jetë 80 - 90 km/orë. /Scan