300 mln lekë në mbështetje të startup-eve, afati për të aplikuar deri më 30 dhjetor 2024
Është shpallur thirrja për mbështetjen e kompanive startup dhe lehtësuesit e startup-eve nëpërmjet granteve dhe masave mbështëtëse 2025.
Për këtë skemë mbështetjeje është vendosur në dispozicion një fond prej 300 milionë lekësh, ku synohet fuqizimi i inovacionit dhe sipërmarrjes në Shqipëri.
Mbështetjen me grant e përfitojnë startup-et të vetëdeklaruar në regjistrin elektronik të startup-eve, që janë të pajisur me pasaportën përkatëse. Aplikantët mund të jenë individë, nomadë digjitalë, kompani private mikro, të vogla dhe të mesme të themeluara në Shqipëri, jo më të vjetra se 6 vjet në momentin e aplikimit.
Numri i projekteve fituese do të përcaktohet nga cilësia e aplikimeve. Afati për të aplikuar është deri më datën 30 dhjetor 2024 ndërsa afati i implementimit të projekteve për vitin 2025 do të jetë afërsisht 9 muaj.
Programi për mbështetjen e kompanive startup dhe lehtësuesit e start up-eve nëpërmjet granteve dhe masave mbështetëse 2025 është krijuar nga qeveria shqiptare për të stimuluar sipërmarrjen innovative, duke ofruar financim për kompanitë startup më premtuese shqiptare.
Financimi i dhënë nga qeveria shqiptare në kuadër të mbështetjes me grante 2025, do të mbulojë 100% të kostove totale të projektit për aplikantët fitues në fazën e parë, 85% të kostove për aplikantët fitues në fazën e dytë dhe 75% të kostove për aplikantët në fazën e tretë.
Duke njohur vështirësitë në sigurimin e fondeve për ciklin e zhvillimit në fazën e hershme dhe koston e lartë për të përkthyer një produkt ose shërbim në një kompani të suskeshme, është krijuar programi për të ndihmuar kompanitë startup, për t’u mundësuar sipërmarrësve në Shqipëri të ndërtojnë bizneset e tyre inovative në vend./Scantv