Secondary Adv

Ngadalësohet rritja e kostove në ndërtim, rriten 1.6 për qind në 3 mujorin e tretë

Kostot në sektorin e ndërtimit kanë ngadalësuar rritjen sipas të dhënave të INSTAT.

Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e tretë 2024 arriti 112,3 kundrejt tremujorit të katërt 2021 si periudha bazë. Ndryshimi vjetor i Indeksit të Kushtimit në Ndërtim në tremujorin e tretë 2024 është 1,6%, një vit më parë ky ndryshim ishte 4,2%.

 

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime për paga” me 3,2%, pasuar nga grupet “Shpenzime transporti” me 3,1%, “Shpenzime energjie” me 2,9%, “Kosto të tjera” me 2,0%, dhe “Shpenzime makinerie” me 1,5%.

 

Nga ana tjetër grupi “Shpenzime materiale” shënoi ulje me 0,1%. Brenda grupit “Shpenzime materiale”, indeksi i nëngrupit “Materiale elektrike dhe komunikimi” shënoi uljen më të lartë prej 0,3%, pasuar nga grupi “Materiale ndërtimi” me 0,1%. Nga ana tjetër grupi “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” shënoi rritje prej 0,2%.

 

Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2024 Indeksi i Kushtimit në Ndërtim shënoi rritje me 0,1%.

 

Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime për paga” me 0,7%, pasuar nga grupet “Shpenzime transporti” me 0,6%, “Shpenzime makinerie” me 0,3%. Nga ana tjetër ulje ka shënuar grupi “Shpenzime materiale” me 0,3%.

 

IKN mat ecurinë e çmimeve të materialeve të ndërtimit, të fuqisë punëtore dhe të shpenzimeve të tjera kapitale që përdoren në ndërtimin e një banese tip (8 – 10 kate).

 

IKN është një tregues i rëndësishëm ekonomik për sektorin e ndërtimit. Indeksi përdoret si deflator për llogaritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe Indekseve të ndryshme të volumit, përdoret nga Institucionet Qeveritare, Banka Qendrore e Shqipërisë, Organizata të tjera joqeveritare, Banka Botërore, FMN etj.

 

Peshat e shportës së materialeve janë llogaritur duke u bazuar në preventivat e shpenzimeve për ndërtimin e një banese shumëkatëshe marrë nga firmat e ndërtimit. Shporta e re përbehet nga 71 zëra nga të cilat 66 janë materiale ndërtimi.

 

Çmimet për materialet e ndërtimit mblidhen nga 237 distributorë dhe shitës me shumicë të materialeve të ndërtimit. Ndërsa, të dhënat për shpenzimet për pagat, makineritë dhe transportin merren nga 97 ndërmarrje të mëdha ndërtimi të përqendruara kryesisht në rrethin e Tiranës.

 

Sektori i ndërtimit ka qenë kontribuuesi kryesor në rritjen ekonomike të vendit vitet e fundit. Nga një njëra anë ka një fluks të lartë ndërtimesh në të gjithë vendit dhe në anën tjetër një kërkesë po aq të lartë që sjellë rritje të fortë të çmimeve të banesave vitet e fundit.

 

/Monitor (https://monitor.al/zbutet-rritja-e-kostove-ne-ndertim-rriten-1-2-ne-3-mujorin-e-trete/)


Më të lexuarat