Bashkia do investojë 27 mln euro nga taksa e strehimit për banesat sociale për 2 viteve të ardhshme
Bashkia e Tiranës parashikon të shpenzojë rreth 2,7 mld lekë apo 27 mln euro për ndërtimin e banesave sociale për vitet 2024-2026.
Me planin 5 vjeçar të strehimit për vitet 2022-2027 synohet të përmirësohet çështja e strehimit për 4 mijë familje në Tiranë. Me qëllim zbatimin e këtij programi social Bashkia e Tiranës parashikon të përdorë fondin me vlerë 3 mld lekë i krijuar në vitet 2020-2024 nga kontributi i sektorit privat nëpërmjet taksës 3% të strehimit social.
Në zbatim të planit 5-vjeçar të strehimit, Bashkia e Tiranës ka miratuar në fazën e parë, si zona më të përshtatshme për zhvillimin e programeve sociale, 2 sipërfaqe truall në rrugën “Hamdi Pepa” në njësinë bashkiake nr.6 në Kombinat.
Projektvendimi “Për përcaktimin e pasurive nr. 3/326 dhe nr. 3/665, ZK 8240, në pronësi të Bashkisë Tiranë, si zonë në zhvillim, me qëllim ndërtimin e banesave sociale” do t’i propozohen për miratim Këshillit Bashkiak në mbledhjen e ardhshme.
“Drejtoria e Përgjithshme e Menaxhimit Financiar, nëpërmjet shkresës nr. 43166/1, datë 14.11.2024 na informon se në zbatim të nenit 50 të ligjit të lartpërmendur, kontributi i sektorit privat në krijimin e fondit publik të banesave sociale për periudhën 2020-2024 në total është 3.061.934.405 lekë.
Në programin buxhetor afatmesëm 2024-2026 kosto buxhetore për projektin ‘’Investime për ndërtimin e banesave sociale referuar kontributit të sektorit privat’’, në programin e strehimit social është 2.730.278.660 lekë, i shtrirë në dy vite buxhetore.
Në këto kushte, efektet financiare të këtij vendimi do të përballohen nga fondi i përfituar sipas parashikimeve të nenit 19, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”, të ndryshuar, dhe nga vetë të ardhurat e Bashkisë Tiranë”, citohet në projektvendim.
Neni 19 i ligji “Për Strehimin Social”, i miratuar në vitin 2018, parashikon se çdo subjekt privat që aplikon për leje ndërtimi me sipërfaqe mbi 2,000 m2, është i detyruar t’i kalojë shtetit 3% të sipërfaqes për fondin e banesave sociale.
Po ashtu me vendim të Këshillit Bashkiak të vitit 2019 është vendosur, si e drejtë e zhvilluesve të lejeve të ndërtimit edhe konvertimi i sipërfaqes për strehim në vlerë monetare.
Në projektvendim përcaktohet se në zbatim të parashikimeve të planit 5 vjeçar të strehimit 2022-2027, ku është parashikuar t’u sigurohet strehim afërsisht 4,000 familje të shpërndarë në 5 vite, vlerësohet e nevojshme në funksion të zbatueshmërisë së ligjit nr. 22/2018 “Për strehim social” i ndryshuar, planifikimi i sipërfaqeve të nevojshme të truallit për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi për ndërtimin e banesave sociale.
Programi i zhvillimit të zonës me qëllim strehimin realizohet në troje që janë pronë e shtetit, njësive të vetëqeverisjes vendore ose private.
Fillimisht në zbatim të programit 5 vjeçar të strehimit, nga bashkia e Tiranës përcaktohen 2 sipërfaqe truall, përkatësisht në njësinë bashkiake nr.6 në Kombinat, si më të përshtatshme për ndërtimin e banesave sociale.
“Si rrjedhim, referuar përcaktimeve të shkresës nr. 43166/2, datë 15.11.2024, rezulton se pasuritë 3/326 dhe 3/665, zk 8240, në pronësi të Bashkisë Tiranë, përmbushin kushtet si zona më e përshtatshme me qëllim vijimin e procedurave për shpalljen e zonës me qëllim strehimi social, referuar edhe të dhënave bazë të përdorimit të tokës, në përputhje me PPV-në dhe PDV-në të cilat janë për banim.
Gjithashtu, referuar edhe tabelës nr. 26, të planit 5 vjeçar të strehimit, miratuar me vendimin e këshillit bashkiak të lartpërmendur, rezulton se numri më i madh i aplikuesve për programe strehimi në Bashkinë Tiranë, konkretisht subvencioni i qirasë është Njësia Administrative nr. 6.
Theksojmë se “Subvencioni i qirasë” është një instrument i programit të banesave sociale me qira, që ndihmon individët/familjet, të cilët me të ardhurat e tyre nuk përballojnë pagesën e qirasë sociale ose të qirasë reale.
Për sa më sipër, në përmbushje të parashikimeve të nenit 50, të ligjit nr. 22/2018 “Për strehimin social”, të ndryshuar, duke qenë se programi i zhvillimit të zonës me qëllim strehimin do të realizohet në pasuri në pronësi të Bashkisë Tiranë, kërkojmë Këshillit Bashkiak, në cilësinë e organit që ushtrin të drejtën e pronësisë dhe të vendimmarrjes, të miratojë projektvendimin “Për përcaktimin e pasurive me nr. 3/326 dhe me nr. 3/665, zk 8240, në pronësi të Bashkisë Tiranë, si zonë në zhvillim, me qëllim ndërtimin e banesave sociale”, mbi ndjekjen e të gjitha procedurave ligjore, për shpalljen e pasurive të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, si “Zonë zhvillimi”, me vendim të Këshillit të Ministrave”, citohet në projektvendim.
Referuar të dhënave të projektvendimit, pasuria e parë me numër 3/326, e llojit “truall”, që vihet në dispozicion nga Bashkia e Tiranës ndodhet në rrugën “Hamdi Pepa”, me sipërfaqe totale prej 10.2 m².
Pasuria e dytë me numër 3/665, e llojit “truall e ndërtesë”, ndodhet te rruga “Hamdi Pepa”, me sipërfaqe totale trualli prej 10458.81 m² dhe sipërfaqe totale ndërtimore prej 112 m²./ Monitor (https://monitor.al/per-2-vite-bashkia-do-shpenzoje-27-mln-euro-nga-taksa-e-strehimit-per-banesat-sociale/)