Secondary Adv

FNM: Shqipëria, vendi me numrin më të ulët të huamarrësve në rajon

Shqipëria ka depërtimin më të vogël të kredisë në raport me popullsinë për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

 

Sipas të dhënave krahasuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në fund të vitit 2023 Shqipëria numëronte 150 huamarrës për çdo 1000 banorë në moshë të rritur.

 

Numri i huamarrësve është rritur lehtë krahasuar me nivelin prej 148 për 1000 ku qëndronte një vit më parë. Megjithatë, Shqipëria ngelet dukshëm në nivelin më të ulët mes ekonomive fqinje të Ballkanit Perëndimor.

 

Numrin më të madh të huamarrësve në raport me popullsinë e ka Serbia, me më shumë se 546 huamarrës për çdo 1000 banorë në moshë të rritur. Ndjek Maqedonia e Veriut me 381 huamarrës për 1000 banorë, e ndjekur nga Bosnje-Hercegovina, me 338 huamarrës për 1000 banorë, Mali i Zi, me 309 huamarrës për 1000 banorë dhe Kosova, me 203 huamarrës për 1000 banorë.

 

Shqipëria ngelet paralelisht edhe ekonomia më pak e kredituar edhe në vlerë. Sipas FMN-së, në fund të vitit të kaluar portofoli i kredisë në Shqipëri ishte sa 30.7% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), në rënie nga niveli prej 32.4% i vitit 2022.

 

Megjithëse kredia në vlerë absolute ka vazhduar të rritet në vitet e fundit, ajo nuk ka mbajtur dot ritmet e rimëkëmbjes së shpejtë ekonomike në periudhën pas pandemisë. Për këtë arsye, raporti i PBB-së ka pësuar rënie për të dytin vit radhazi në 2023.

 

Ekonomia me kreditimin më të lartë në rajon është Maqedonia e Veriut, me një portofol sa 52.4% e PBB-së, e ndjekur nga Kosova, me 50.7%, Bosnje-Hercegovina, me 45.3%, Mali i Zi, me 43.8% dhe Serbia, me 38.6% e PBB-së.

 

Shqipëria ka pasur nivele të ulëta të kredisë në raport me PBB-në përgjatë gjithë periudhës postkomuniste. Një rritje e shpejtë e këtij raporti u regjistrua sidomos gjatë periudhës 2005-2011, që përkon me zgjerimin e sektorit bankar bankar në vend.

 

Në vitin 2011, raporti i kredisë ndaj PBB-së arriti nivelin më të lartë historik, me më shumë se 41%. Në vitet që pasuan, ky raport pësoi rënie të vazhdueshme, për shkak të krizës së kredive me probleme, që solli stanjacion të kreditimit për vite me radhë dhe më pas pastrimit të vazhdueshëm të portofoleve prej kredive të humbura.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të shtatorit portofoli i kredisë për ekonominë arriti në vlerën e 813 miliardë lekëve, në rritje vjetore me afërsisht 12%. Gjatë këtij viti rritja e kredisë në vlerë nominale është përshpejtuar ndjeshëm dhe ka arritur nivelet më të larta që prej vitit 2008.

 

Rritja e kredisë këtë vit është mbështetur sidomos nga një rimëkëmbje e shpejtë në segmentin e bizneseve. Ndërkohë, kredia për individët po rritet me ritme më të qëndrueshme prej vitesh.

 

Megjithatë, kjo rritje e kredisë, veçanërisht me qëllim financimin e pasurive të paluajtshme, ka krijuar shqetësim për Bankën e Shqipërisë, që në mesin e këtij viti vendosi për herë të parë një shtesë kundërciklike në raportin e mjafteushmërisë së kapitalit./ Monitor (https://monitor.al/shqiperia-ka-numrin-me-te-ulet-te-huamarresve-ne-rajon/)


Më të lexuarat