Presidenti dekreton datën e zgjedhjeve parlamentare, caktohet 11 maji 2025
Shqiptarët do t’i drejtohen kutive të votimit, për të zgjedhur forcën politike që do t’i qeverisë për 4 vitet e ardhshme më 11 maj të pranverës 2025.
Presidenti Bajram Begaj dekretoi dje (5 dhjetor 2024) datën e zgjedhjeve duke vulosur afatin e fundit që lejon ligji.
Kjo datë, për kreun e shtetit nuk është rastësore. Ajo është plotësim i dëshirës së insitucionit që qëndron mbi palët politike, por që administron zgjedhjet, KQZ-në, për t’i dhënë kësaj të fundit maksimumin e kohës për votimin e diasporës.
"Shkaku themelor për caktimin e datës 11 maj 2025 si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve qëndron në nevojën e shprehur nga KQZ-ja për të shfrytëzuar të gjithë kohën në dispozicion për përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe organizative, me qëllim që të bëhet i mundur votimi i sukseshëm dhe rezultativ i shqiptarëve nga jashtë vendit" thuhet në njoftimin e presidencës.
Begaj i përgjigjet edhe shqetësimit të partive të vogla opozitare, që nuk pajtoheshin me datën 11, por kërkonin votime me 4 maj, me pretendimin se Komuniteti politik evropian që do të mblidhet në Tiranë më 9 maj mund të ndikonte në zgjedhje.
Presidenti i Republikës, pasi bëri të gjitha verifikimet e nevojshme me autoritetet kompetente të Shqipërisë, mori zyrtarisht sigurimet, se aktiviteti i mësipërm do të zhvillohet pas zgjedhjeve parlamentare, fakt ky i konfirmuar për Presidentin e Republikës edhe nga interlokutorët ndërkombëtarë.
Përpara vulosjes së dekretit, Begaj zhvilloi konsultime me të gjithë faktorët politikë, konsultime që zgjatën disa ditë. PS kishte kërkuar po 11 majin si datë zgjedhjesh, ndërsa PD refuzoi ftesën e kreut të shtetit me argumentin se ai do të përcaktojë datën e përcaktuar nga kryeministri Edi Rama dhe se konsultimet me opozitën ishin farsë. /Shqiptarja