Kosova miraton Projektligjin për ndalimin e pijeve energjike nën 18 vjeç
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për ndalimin e përdorimit të pijeve energjike për personat nën moshën 18 vjeç.
Pro këtij projektligji kanë votuar 62 deputetë. Ky projektligj ishte propozuar nga gjashtë deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Sipas projektligjit, pijet energjike janë pijet joalkoolike që përmbajnë sasi të kafeinës që kalon vlerën 150 mg/l dhe përmbajnë të paktën një, apo disa substanca legale stimuluese ose restauruese, siç janë taurina, inositoli, sheqeri apo ekstrakte të tjera bimore, si glukuronolactone, ginkgo, ginseng, guarana, Aspartame/Sucralose/Ace-K, Karnitina, si dhe përbërës të tjerë.
Qëllimi i ligjit është mbrojtja e shëndetit të personave nën 18 vjeç nga efektet negative të pijeve energjike, përmes edukimit, ndërgjegjësimit, mbrojtjes nga rreziku i ekspozimit dhe përdorimit, kontrollit, prodhimit, tregtimit dhe kufizimit të reklamimit të këtyre produkteve.
“Ndalohet shitja dhe ofrimi i pijeve energjike personave nën 18 vjeç”- thuhet në nenin 4 të këtij Projektligji.
Projektligji po ashtu parasheh, sanksione kundërvajtëse me gjobë deri në 2 mijë euro, personin fizik dhe personi përgjegjës i personit juridik, që shet, ofron ose reklamon për shitje pije energjike në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji.
Tutje thuhet se autoritetet përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji janë: Inspektorati i Tregut, Inspektorati Sanitar dhe Komisioni i Pavarur i Mediave.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Fitore Pacolli, ka theksuar se ky projektligj synon mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe grupeve të ndjeshme, duke përfshirë ndalimin e konsumimit të pijeve energjike nga të miturit dhe imponimin e kontrolleve të rrepta për të siguruar zbatimin e tij.
“Projektligji ka për qëllim të mbrojë shëndetin e fëmijëve dhe grupeve të ndjeshme. Përfshin ndalimin e konsumimit të pijeve nga të miturit dhe përfshin kontrolle të rrepta. Ky projektligj nuk bie ndesh me ndonjë akt të Bashkimit Evropian. Për këtë projektligj janë zhvilluar konsultime të ndryshme publike. Komisioni për Mjedis e ka shqyrtuar këtë projektligj dhe propozojmë që ky projektligj të votohet parimisht”, ka thënë Pacolli.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka treguar se projektligji do të trajtohet nga komisionet parlamentare para se të dërgohet sërish në kuvend për shqyrtimin e dytë, atë final.