Strehimi social, mbi 21 mijë familje ishin pjesë e programeve deri në fund të 8 mujorit
Programet e strehimit social kanë përfshirë deri në fund të gushtit mbi 21 mijë familje.
Të dhënat zyrtare tregojnë se subvencionimi i interesave të kredive ekzistuese, atyre të reja apo subvencionimi i qirave llogaritet në disa qindra milionë lekë.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës objektivi i programit të strehimit është të sigurojë, deri në vitin 2030, strehim të përshtatshëm e të përballueshëm për rreth 35,0000 individëve/familjeve që kanë aplikuar për strehim dhe që nuk përballojnë dot kostot e tregut të banesave.
“Ky tregues llogaritet në mënyrë kumulative nga viti bazë 2016, dhe deri në fund të 8-mujorit të vitit 2024 janë adresuar nevojat e 21,908 familjeve, duke realizuar objektivin afat-gjatë në masën 62.5%” thuhet në raportin e komenteve për monitorimin e buxhetit 2024. Po cilat janë disa nga zërat kryesore të shpenzimeve per strehimin?
“Sa i takon realizimit të 8M 2024 mund të rendisim produktet sa më poshtë:
5 644 familje kanë përfituar nga subvencionimi i interesave për kreditë ekzistuese, në vlerën 84 milionë lekë.
183 familje kanë përfituar subvencionim të interesave për kredi të reja me vlerën 33 milionë lekë. Nga nr. familjeve 52 përfitues i përkasin programit të trajtimit me kredi të lehtësuar të administratës publike.
1 260 familje kanë përfituar subvencionim të qirasë në tregun e lirë sipas Ligjit nr.22/2018, i ndryshuar me një vlerë prej 105.8milionë lekë.
369 familje kanë përfituar subvencionim qiraje për shpronësimin nga ndërtimi i Unazës së madhe me një kosto prej 40.7 milionë lekë.
22 familje kanë përfituar nga Grant i Menjëhershëm për banesat me kosto të ulët, me një kosto prej 4.7 milionë lekë”, vlerëson MEKI./ Monitor (https://monitor.al/strehimi-social-mbi-21-mije-familje-ishin-pjese-e-programeve-deri-ne-fund-te-8-mujorit/)