Kreditë me probleme, të qëndrueshme në nivelin 4.6 për qind
Raporti i kredive me probleme nuk pësoi ndryshime të mëdha as në muajin tetor, duke qëndruar pranë nivelit të 4.6%.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, ky tregues u shfaq i qëndrueshëm pranë këtij niveli për të tretin muaj radhazi.
E njëjta gjë, në mënyrë paralele ka ndodhur edhe me portofolin total të kredisë, që prej tre muaj radhazi ka qëndruar pranë nivelit të 812 miliardë lekëve. Kjo tregon se edhe portofoli i kredive të këqija në vlerë nuk ka pësuar ndryshime të mëdha në muajt e fundit.
Megjithëse me bazë vjetore kredia po shfaq rritjen më të shpejtë në 15 vitet e fundit, pas tremujorit të tretë të vitit huadhënia duket se po ngadalësohet. Kjo mund të lidhet me sinjalet e dhëna nga Banka e Shqipërisë, që disa herë këtë vit është shprehur e shqetësuar se kredia po rritet me ritme tepër të shpejta, veçanërisht në segmentin e pasurive të paluajtshme.
Aktualisht, kredia për pasuri të paluajtshme e individëve dhe bizneseve përbën rreth 49% të portofolit total të kredisë së dhënë për sektorin privat të ekonomisë.
Në mesin e këtij viti, Banka e Shqipërisë aplikoi për herë të parë një shtesë kundërciklike të kapitalit, që ka si qëllim posaçërisht frenimin e kreditimit të shpejtë të ekonomisë, në masën 0.25%.
Në muajin shtator, Banka e Shqipërisë paralajmëroi një rritje të shtesës kundërciklike, në rast se kredia do të vazhdonte rritjen e shpejtë.
Duket se në muajt e fundit sektori financiar po reagon ndaj këtyre sinjaleve dhe e ka ulur disi ritmin e kreditimit, veçanërisht për bizneset, ku po shënoheshin edhe normat më të larta të rritjes.
Në ndjekje të kësaj tendence, portofoli i kredive me probleme duket se është i qëndrueshëm pranë niveleve më të ulëta të 16 viteve të fundit.
Megjithatë, qëndrueshmëria e raportit të kredive me probleme, në një vit kur kredia është rritur me ritme të shpejtë, në vetvete përbën një sinjal shqetësues dhe tendencë për rritje të kredive të këqija në ekonomi.
Totali i kredive me probleme vlerësohet në afërsisht 37.4 miliardë lekë, nga rreth 35 miliardë lekë që kishte qenë në fund të vitit 2023. Kjo tregon se, në vlerë absolute, kreditë e këqija janë rritur me 2.4 miliardë lekë ose afërsisht 6.9% që nga fillimi i vitit./Monitor (https://monitor.al/kredite-me-probleme-te-qendrueshme-ne-nivelin-4-6/)