Secondary Adv

Rritja e investimeve të huaja u frenua në tremujorin e tretë të vitit

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, fluksi i investimeve të huaja direkte kishte vlerën e 411 milionë eurove, vlerë e njëjtë me tremujorin e tretë të vitit të kaluar.

Megjithatë, këtë vit investimet e huaja direkte vazhdojnë të regjistrojnë nivelet më të larta historike. Për 9-mujorin 2024, vlera progresive e investimeve të huaja direkte arriti në 1.16 miliardë euro, shifër kjo 6.6% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Detajimi i plotë i investimeve të huaja direkte sipas sektorëve nuk është ende i disponueshëm.

 

Megjithatë, sipas informacionit paraprak nga Banka e Shqipërisë, gjatë tremujorit të tretë 2024, flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme, në masën 20%, sektorin e ndërmjetësimit financiar, në masën 19%, e hidrokarbureve, në masën 14%, e energjetikës, në masën 11%, si dhe komunikacionit, në masën 4%.

 

Të dhënat paraprake konfirmojnë se pasuritë e paluajtshme vazhdojnë të jenë mbështetja kryesore për rritjen e investimeve të huaja direkte. Mbështetur në të dhënat paraprake të Bankës së Shqipërisë, mund të llogaritet se investimet e huaja direkte në pasuri të paluajtshme për 9-mujorin arritën vlerën e 263 milionë eurove, në rritje me 18.5% krahasuar me 9-mujorin 2023.

 

Edhe gjatë tremujorit të tretë, rritja e investimeve të huaja u mbështet sidomos te fitimet e riinvestuara të ndërmarrjeve ekzistuese.

 

Fitim i riinvestuar është zgjeruar me 15% në terma vjetorë dhe arriti vlerën e 233 milionë eurove. Fitimet e riinvestuara përbënin 57% të fluksit total të investimeve të huaja direkte për tremujorin e tretë. Ndërkohë, injektimi i kapitalit të ri u vlerësua 178 milionë euro, me një rënie prej 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Fitimet e rinvestuara kanë epërsi në strukturën e investimeve të huaja edhe për të gjithë 9-mujorin. Në 9 muaj, ndërmarrjet me aksionerë të huaj kanë riinvestuar fitime në vlerën e 628 milionë eurove, ose sa 54% e investimeve të huaja direkte gjatë kësaj periudhe.

 

Pesha e lartë e fitimeve të riinvestuara është tipike sidomos për sektorët e industrisë nxjerrëse apo të shërbimeve financiare, që kërkojnë flukse të vazhdueshme të investimeve të reja për të mbështetur rritjen e biznesit.

 

Një element tjetër që duhet theksuar është fakti që rritja e fitimeve të riinvestuara po ndikohet pjesërisht edhe nga ecuria e kursit të këmbimit.

 

Fitimet e riinvestuara të kompanive të huaja raportohen në lekë dhe më tej konvertohen në euro, monedha në të cilin raportohet për qëllime statistikash Bilanci i Pagesave. Rritja e ndjeshme e peshës së fitimeve të riinvestuara në strukturën e investimeve të huaja direkte mund të shpjegohet pjesërisht edhe me forcimin e lekut në kursin e këmbimit.

 

Në fund të 9-mujorit të këtij viti, kursi i këmbimit euro-lek rezultoi në rënie me 7.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Mbi këtë bazë, mund të llogaritet se kursi i këmbimit ka kontribuuar afërsisht me gjysmën e rritjes së fitimeve të riinvestuara për tremujorin e tretë të vitit.

 

/Monitor (https://monitor.al/rritja-e-investimeve-te-huaja-u-frenua-ne-tremujorin-e-trete-te-vitit/)


Më të lexuarat