Rekord të ardhurash prej 3.9 mld euro nga turizmi, për 9 muaj fitoi 640 mln euro më shumë se në 2023
Të ardhurat nga turizmi përgjatë 9 muajve të këtij viti kanë kapur shifrën rekord prej 3.9 miliardë euro, në rritje me 640 milionë euro në raport me vjet.
Edhe shqiptarët i kanë shtuar shpenzimet jashtë vendit, me 355 milionë euro këtë vit.
Nga deti, në male, kanione, zona të mbrojtura apo monumente kulturore e historike, të huajt kanë shpenzuar vlera rekord në Shqipëri krahasuar me vjet.
Mbi 9.6 milionë të huaj që vizituan vendin gjatë periudhës 9 mujore janar-shtator, sollën në vend 3.8 miliardë euro. Banka e Shqipërisë thotë se shpenzimet e shtetasve të huaj në Shqipëri u rritën me 640 milionë euro në raport me vitin e kaluar.
Nga një përllogaritje e thjeshtë rezulton se çdo turist i ardhur ka shpenzuar 398 euro për qëndrimin këtu, vlerë kjo më e lartë se 9-mujori i vitit 2023, ku shpenzimet mesatare për turist ishin 387 euro.
“Shpenzimi ditor për udhëtar është vlerësuar në rritje, ndërsa sa i takon ditë qëndrimit ky i fundit është luhatur rreth të njëjtit nivel në vitin e kaluar”, thuhet edhe në raportin e Bankës së Shqipërisë.
Në fakt vera e këtij viti është dominuar nga kritikat për abuzim të bizneseve me çmimet që nga akomodimi e deri tek shërbimi ushqimor apo baret.
Nga ana tjetër edhe shqiptarët kanë qenë më dorëlëshuar se vjet në shpenzimet e tyre për pushime jashtë vendit. Rreth 5.9 milionë shqiptarët që udhëtuan jashtë në 9-muaj, kanë shpenzuar mbi 2 miliardë euro, nga 1.7 miliardë euro që ishte vlera e shpenzimeve vjet. Shpenzimi për një shqiptar jashtë vendit përllogaritet mesatarisht në 349 euro nga 337 euro që ishte vlera në të njëjtën periudhë të 2023-shit./Shqiptarja.com