Secondary Adv

Kërkesa për kredi në Shqipëri më e lartë se mesatarja rajonale

Rezultatet e anketës së Huadhënies për Europën Qëndrore, Lindore dhe Juglindore publikuar nga BEI tregojnë se në gjashtë muajt e fundit, Shqipëria ka përjetuar një rritje të ndjeshme të kërkesës për kredi.

Kjo rritje ishte më e lartë se mesatarja rajonale dhe një prirje e ngjashme pritet edhe në gjashtë muajt e ardhshëm.

 

Një ndër arsyet kryesore të rritjes së kërkesës për kredi është nevoja për inventar dhe kapital qarkullues, së bashku me perspektivat pozitive në tregun e banesave. 

 

Këta faktorë kanë kontribuar në një prirje të përgjithshme pozitive, ndërkohë që segmenti i familjeve pritet të mbetet forca shtytëse për kërkesën për kredi gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

 

Megjithatë, kjo rritje e nivelit të kreditimit ka ardhur së bashku me shtrëngimin e kushteve të ofertës, duke reflektuar një qëndrim më konservator të bankave në raport me kredidhënien. 

 

Ndërkohë, likuiditeti dhe cilësia e kredisë janë përmirësuar ndjeshëm, dhe këto tregues janë në rrugë të mbarë për të vijuar këtë trend pozitiv.

 

Nga ana tjetër, 67% e grupeve bankare ndërkombëtare që operojnë në Evropën Qëndrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE) e shohin tregun shqiptar si një mundësi me potencial mesatar dhe 33% e tyre e perceptojnë si një treg me potencial të lartë. 

 

Megjithatë, të gjitha këto grupe raportojnë fitime më të ulëta nga degët e tyre lokale në Shqipëri krahasuar me operacionet e tyre globale.Ky këndvështrim mbetet i pandryshuar krahasuar me raundin e mëparshëm të sondazhit.

 

Po ashtu janë raportuar përmirësime edhe në cilësinë e kredisë. Konkretisht, raporti i kredive me probleme ka shënuar rënie, duke treguar një përmirësim të cilësisë së huadhënies si në segmentin e familjeve  ashtu edhe në atë korporativ.

 

 Ky trend pozitiv në cilësinë e kredisë pritet të vazhdojë edhe në vijim, duke forcuar më tej qëndrueshmërinë financiare të sistemit bankar shqiptar. Sipas anketës së analizuar më lart konkludojmë se përmirësimi i likuiditetit, cilësisë së kredisë dhe aksesi në financime ofrojnë një bazë solide për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit bankar./Scantv


Më të lexuarat