Laguna e Karavastasë 2.2 mln euro për fazën e dytë të argjinaturës, hapet tenderi
Pas lidhjes së kontratës për fazën e parë të ndërhyrjes në Lagunën e Karavastasë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit çeli tenderin për fazën e dytë të këtij projekti.
Këtë të enjte në sistemin e Agjencisë së Prokurimeve u çel procedura me objekt “Ndërhyrje në hapësira urbane, parqe, lulishte, promenade, etj.: Lot 3- “Sistemimi dhe mbrojtja e argjinaturës lindore të lagunës së Karavastasë prej erozionit”, Faza II” me një fond limit 228 milionë lekë apo 2.2 milionë euro.
Në dokumentet e procedurës specifikohet se përtej mbrojtjes nga erozioni të kësaj lagune duket se projekti synon të sjellë edhe një vlerë të shtuar në aspektin turistik duke u kujdesur që një pjesë e argjinaturës të shërbejë në funksion të vizitorëve. Projekti synon që kurora e argjinaturës të shërbejë si shëtitore këmbësore me hapësira rekreative.
Dokumentet specifikojnë se argjinatura me një gjatësi 5.2 kilometra do të ndërtohet sipas disa specifikave.
“Do të ndërtohet dhe formatohet me skarpate të rregullta argjinatura e lagunës nga CS–1 deri te CS-277 gjithsej 5520 m argjinature.
Dherat për ndërtimin e trupit të argjinaturës do te merren nga dherat që do të dalin nga gërmimi i kanalit kullues paralel me argjinaturën (në anën e jashtme të argjinaturës) si dhe nga gërmimi ne anën e brendshme te argjinaturës (ana e lagunës).
Para marrjes se dherave për mbushjen e argjinaturës do të bëhet skarifikimi i shtresës vegjetale. Skema e rrjedhjes së ujërave të kullimit, në këtë fazë, është lënë të funksionojë si më parë.
Trajtimi i skemës së kullimit duhet të bëhet me projekt të veçante, në bashkërendim me skemën ekzistuese të kullimit të fushës në lindje të Argjinaturës” thuhet në dokument.
Ofertat për procedurën duhet të paraqiten nga ana e subjekteve të interesuara deri në datë 30 dhjetor që është afati i mbylljes për të vijuar më pas me fazat e vlerësimit./Monitor (https://monitor.al/laguna-e-karavastase-2-2-milione-euro-per-fazen-e-dyte-te-argjinatures-shetitore/)