Fondet e investimit, asetet neto u rritën me 11 për qind për nëntë muaj
Tregu i fondeve të investimit u rrit më tej në tremujorin e tretë të vitit.
Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), asetet neto të këtyre fondeve arritën në afërsisht 55.8 miliardë lekë.
Asetet neto u rritën me 4.9% krahasuar me tremujorin e dytë dhe me me 11% krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Asetet e fondeve të investimit po rriten për të dytin vit radhazi, duke konsoliduar rimëkëmbjejen graduale, pas goditjes së fortë që tregu pësoi në vitin 2022, nga rritja e normave të interesit.
Paralelisht me rritjen e vlerës së aseteve, po vijon edhe zgjerimi i numrit të anëtareve në këto fonde. Numri i anëtarëve arriti në 36 mijë, në rritje me pothuajse 12% krahasuar me fundin e vitit 2023.
Megjithatë, tregu ende nuk ka arritur të kthehet në nivelet maksimale historike, që kishte arritur në vitin 2021, para rritjes së normave të interesit. Në atë periudhë, tregu i fondeve të investimit raportonte gati 82 miliardë lekë asete dhe mbi 40 mijë anëtarë.
Fondet e investimit në lekë i kanë përqendruar investimet e tyre në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare dhe në një masë më të vogël në mjete likuide (llogari bankare).
Fondet në valutë kanë një spektër më të gjerë investimesh, por edhe aty në volume dominojnë instrumentet financiare të borxhit të qeverive dhe shoqërive tregtare. Disa prej fondeve janë të angazhuara edhe në investime në aksione, por pesha e tyre specifike në treg ngelet mjaft e ulët.
Deri në fund të 9-mujorit 2024, në treg ishin aktive 16 fonde investimi, të administruara nga gjashtë shoqëri të ndryshme administruese.
Tregu vazhdon të dominohet nga fondet në monedhën vendase, që përbëjnë më shumë se 91% të vlerës neto të aktiveve të fondeve. Në dy vitet e fundit, vlera e fondeve në valutë të huaj është ndikuar negativisht edhe nga efekti i kursit të këmbimit.
Mes fondeve, më i madhi me diferencë të konsiderueshme ngelet fondi i investimeve në lekë, Raiffeisen Prestigj, me pothuajse 61% të aseteve neto të tregut (duke përfshirë edhe fondet e investimeve alternative).
Vijon fondi tjetër në lekë i shoqërisë Raiffeisen Invest, Raiffeisen Vizion, me pothuajse 19% të vlerës neto të aseteve. Mes fondeve në valutë të huaj, më i madhi është Raiffeisen Invest Euro, me 6.5% të vlerës neto të aseteve.
Një peshë të konsiderueshme në vitet e fundit kanë fituar edhe fondet e investimeve alternative. Asetet e këtyre fondeve vlerësohen në rreth 4.8 miliardë lekë ose rreth 9% e vlerës totale të aseteve të tregut të fondeve të investimit.
Sipas ligjit, në këto fonde mund të investojnë vetëm investitorë profesionistë dhe të kualifikuar. Dy fondet deri më sot aktive në treg zotërojnë asete në formën e pasurive të paluajtshme./ Monitor (https://monitor.al/fondet-e-investimit-asetet-neto-u-rriten-me-11-per-nente-muaj/)