Eksportet bujqësore rriten me 19.5 për qind, prodhimet shqiptare konkurruese në tregjet e huaja
Prodhimet shqiptare po zgjerohen gjithnjë e më shumë në tregjet e huaja.
Eksportet bujqësore kanë shënuar rritje me 19.5% gjatë periudhës janar-nëntor 2024 krahasuar me një vit më parë. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëri me dije, se përgjatë periudhës janar- nëntor 2023 u eksportuan 364 219 ton, ndërsa në janar- nëntor 2024 janë eksportuar 435 372 ton.
Objektivi i qeverisë është që përmes politikave mbështetëse për fermerët në drejtim të prodhimit, cilësisë dhe certifikimit, të arrihet në nivelin e 1 miliardë dollarë eksporte deri në vitin 2030.
Sipas ministres Denaj, performanca pozitive që po tregon sektori bujqësor i bën produktet Made in Albania konkurruese në tregjet ndërkombëtare.
Të dhënat zyrtare tregojnë se viti 2023 u mbyll me një shifër totale eksportesh në vlerën e 55.7 miliardë lekëve, duke shënuar një rritje me 7.7% gjatë vitit 2023 krahasuar me vitin 2022.
Ndërkohë, në totalin e eksporteve ato që udhëheqin dhe që kanë kërkesën më të lartë nga konsumatorët e huaj janë fruta-perimet e freskëta, bio shqiptare.
Nga ana tjetër, produktet shqiptare përgjatë sezonit veror zënë një vend të rëndësishëm edhe në tregun e brendshëm, duke furnizuar jo vetëm kërkesën konsumatore vendase por edhe të turistëve të huaj, të cilët kur vizitojnë Shqipërinë janë më të orientuar drejt prodhimeve lokale./Scantv