120 mln lekë për modernizimin e HEC Koman, hapet tenderi për optimizim dhe mirëmbajtje
Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka shpallur hapjen e tenderit për sistemin e matjes, parashikimit dhe optimizimit të operimit dhe mirëmbajtjes të Hec Koman.
Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka shpallur hapjen e tenderit për sistemin e matjes, parashikimit dhe optimizimit të operimit dhe mirëmbajtjes të Hec Koman, implementimi i modeleve parashikuese. Vlera e përllogaritur e këtij projekti është 120 milionë lekë.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) e zhvillon aktivitetin e saj duke administruar hidrocentralet e kaskadës së lumit Drin (HEC-Fierzë HEC-Koman, HEC-Vau i Dejës) të cilët janë të rëndësisë së veçantë për ekonominë e vendit.
Referuar dokumentit, për të realizuar një monitorim të saktë është i nevojshëm investimi me teknologjitë e reja të sistemeve të monitorimit të gjendjes së pajisjeve gjatë proceseve të punës, si dhe marrja e informacioneve në kohë reale. Qëllimi i këtij investimi është digjitalizimi i Operimit dhe Mirëmbajtjes, që rezulton në uljen e kostove nëpërmjet mirëmbajtjes së optimizuar.
Andaj, do të instalohet një sistem digjital inteligjent, i cili duhet të përfshijë të gjitha pajisjet e nevojshme për funksionimin e tij, ku do të instalohet dhe konfigurohet programi i optimizimit të mirëmbajtjes dhe parashikimit, për të garantuar sigurinë dhe integritetin afatgjatë të pajisjeve të hidrocentralit.
Ky sistem do të përdoret si një sistem monitorimi online me aftësi mbrojtëse dhe parandaluese, si dhe mund të përdoret për të parë të dhënat në kohë reale gjatë vënies në punë ose mirëmbajtjes së agregatëve.
Sistemi duhet të kryejë monitorimin dhe optimizimin e gjendjes teknike të aseteve të prodhimit të energjisë elektrike të HEC Koman, me qëllim marrjen e masave paraprake në kohën e duhur, për eleminimin e difekteve.
Kjo do të rrisë më tepër gatishmërinë dhe do të minimizojë dështimin e pajisjeve dhe sistemit të HEC Koman në tërësi, duke garantuar prodhimin e sigurt të energjisë elektrike, thuhet në dokument. /Scan