Parapagimi i tatimit mbi fitimin, profesionistëve të lirë iu fshihen edhe gjobat
Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi Aktin Normativ, i cili i hap rrugë kthimit të këstit të parapaguar të tatimit mbi fitimin për profesionistët e lirë.
Më 27 qershor, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar skemën tatimore, sipas së cilës të vetëpunësuarit dhe entitetet, që ofrojnë shërbime profesionale me qarkullim deri në 14 milionë lekë, ishin subjekt të tatimit me normat progresive tatimore 15% dhe 23%.
Bazuar në këtë vendim, kjo kategori tatimpaguesish tashmë kanë një normë tatimore 0% të tatimit mbi fitimin.
Referuar këtij Akti Normativ, të vetëpunësuarit dhe entitetet që zhvillojnë veprimtarinë ekonomike në fushën e ofrimit të shërbimeve profesionale, me qarkullim deri në 14 milionë lekë, të cilët kanë parapaguar këstet e tatimit mbi fitimin deri në qershor 2024 (në kohën e marrjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese), me anë të këtij akti normativ rimbursohen në shumën e plotë të parapagimeve/kësteve të bëra ndaj administratës tatimore.
Gjithashtu, administrata tatimore fshin nga sistemi parapagimet e gjeneruara, për të cilat tatimpaguesit nuk kanë bërë pagesë. Në bazë të Aktit Normativ, afati për rimbursimin dhe fshirjen e parapagimeve është jo më vonë se data 30 dhjetor 2024.
Drejtore e Përgjithshme e Politikave Tatimore në Ministrinë e Financave, Arjana Dyrmishi, tha se nga miratimi i aktit normativ do të përfitojnë rreth 6450 tatimpagues, të cilët do të rimbursohen me një fond prej 501 milionë lekësh. Dyrmishi tha se do të fshihen edhe penalitetet e lindura nga mospagimi në kohë i kësteve për këto kategori.
Administrata Tatimore ka bërë të ditur se është gati për të rimbursuar brenda dhjetorit tatimpaguesit, që ofrojnë shërbime profesionale dhe që kanë kryer pagesën e kësteve paraprake të TF dhe TFTH.
Ajo u ka kërkuar tatimpaguesve të saktësojnë të dhënat e llogarive bankare në e-Filing. /Ora news