Secondary Adv

Zonat e mbrojtura, Sekretariati: Projektet infrastrukturore me shkallë të gjerë paraqesin rrezik

Sekretariati i Vjenës i Komunitetit të Energjisë i ka vlerësuar me 47 për qind treguesin që lidhet me mbrojtjen e natyrës nga Shqipëria.

Kjo lidhet me zhvillimet aspektin e kuadrit ligjor ku Sekretariati nuk ka lënë pa përmendur që ndryshimet ligjore të shkurtit të këtij viti lejojnë projekte infrastrukturore me shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura me bekimin e një komisioni që kryesohet nga Kryeministri.

 

“Në shkurt 2024, Kuvendi i Shqipërisë amendoi legjislacionin për mbrojtjen e natyrës, duke lejuar që projektet infrastrukturore në shkallë të gjerë brenda parqeve kombëtare dhe rezervateve natyrore të vazhdojnë pa miratimin e autoritetit të mbrojtjes së natyrës, duke kaluar kështu mbikëqyrjen te një komision i kryesuar nga Kryeministri.

 

Për më tepër, nuk janë raportuar zhvillime të reja në lidhje me Parkun Kombëtar të Lumit Vjosa dhe mosmarrëveshjet e vazhdueshme në lidhje me projektet e hidrocentraleve të Kalivaçit dhe Poçemit”, thuhet në dokument.

 

Teksa për Vjosën tashmë ka një plan për orientimin turistik të saj duket se qeveria shqiptare nuk ka raportuar shumëçka pranë Sekretariatit për këtë park. Ndërkohë raporti ndalet edhe në zona të tjera.

 

“Menaxhimi dhe mbrojtja e Zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë, një ligatine Ramsar me rëndësi ndërkombëtare, mbetet i pazgjidhur, pasi projektet e vazhdueshme infrastrukturore brenda zonës paraqesin rrezik për ruajtjen e ligatinave.

 

Në vitin 2024, u miratua ndarja e pesë granteve trevjeçare në shumën totale 1,8 milionë euro për të përmirësuar menaxhimin e zonave kryesore të mbrojtura nën mbikëqyrjen e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKMZH), duke përfshirë hapësirën e Mbrojtur Tokësore dhe Ujore të Pogradecit, Parkun Kombëtar të Prespës, Parkun Kombëtar të Shebenikut, Parkun Natyror Korab-Koritnik dhe Parkun Kombëtar të Alpeve Shqiptare” thuhet në raportin e Sekretariatit.

 

I njëjti vlerëson treguesin e dobësive mjedisore me 20 për qind duke nënvizuar se nuk ka pasur përparim sa i takon akteve nënligjore të lidhura me përafrimin e ligjit kyç sipas direktivës së BE.

 

/Monitor (https://monitor.al/zonat-e-mbrojtura-sekretariati-projektet-infrastrukturore-me-shkalle-te-gjere-paraqesin-rrezik/)


Më të lexuarat