Secondary Adv

Blerjet mbi 700 euro propozohen të realizohen vetëm përmes bankave, jo në cash

Pagesa pa limit me para në dorë nuk do të ketë më brenda vitit 2026. 

Qeveria ka vendosur që brenda kësaj periudhe të kufizohen pagesat në cash mes qytetarëve, si dhe të ulet limiti i lejuar i pagesave me lekë në dorë për bizneset. 

 

Ndërsa Shoqata e Bankave propozon që tavani i lejuar i pagesave cash të jetë 700 euro si për qytetarët ashtu edhe bizneset. Dhe mbi këtë vlerë çdo blerje të bëhet vetëm përmes bankave.

 

Shumëçka sot mund të blihet me para në dorë nga qytetarët, duke filluar nga produktet nëpër dyqane deri tek pasuri të paluajtshme si apartamentet apo makinat!  Por prej 2026, qeveria synon ta kufizojë këtë fenomen. 

 

Në strategjinë afatmesme të të ardhurave 2024-2027, Ministria e Financave thotë se përtej caktimit të një tavani që kufizon pagesat me lekë në dorë për qytetarët, do të ulet edhe tavani që ekziston aktualisht për bizneset që është në vlerën 150 mijë lekë, pra do të jetë një vlerë më e ulët.

 

Burime nga Shoqata e Bankave thonë se propozimi i tyre është që tavani i lejuar i pagesave me para në dorë të jetë 700 euro si për qytetarët ashtu edhe për bizneset. Sipas tyre shembull janë edhe vendet e rajonit që e kanë të kufizuar deri në 500 euro, si Maqedonia e Veriut. Sipas Shoqatës së Bankave, kufizimi i pagesave në cash, duhet të shoqërohet edhe me zhvillim të fortë të “instant payment” – pagesa të shpejta elektronike përmes llogarive bankare.

 

Këto masa do ndërmerren për shkak se përdorimi i parasë fizike mbetet ende mbizotërues në ekonominë shqiptare. Deri në fund të tetorit jashtë bankave qarkullonin 4 miliardë euro duke u rritur me afro 75 milionë euro krahasuar me dhjetorin e 2023-shit.

 

Në Strategji evidentohet gjithashtu fakti se pagesat fizike, përdoren si alternativë për të fshehur burimin jo të ligjshëm të të ardhurave.

 

“Burimi i parave cash, nëse një individ ka një të ardhur 80 mijë lek në muaj dhe shpenzon 200 mijë lek në muaj, pra jashtë burimit të ligjshëm, logjikisht që këtë diferencë e ka të krijuar nga burime të paligjshme”, është një nga shkaqet e evidentuara në strategji.

 

Kjo ‘traditë’ e pagesave me lekë në dorë i hap shtigje informalitetit, e bën më të vështirë luftën ndaj pastrimit të parave duke ndikuar negativisht në ekonomi, pasi qarkullimi i parasë është i pakontrolluar./Shqiptarja.com


Më të lexuarat