Bruksel, nënshkruhet Dokumenti i Partneritetit me Bashkimin Europian
U nënshkrua sot në Bruksel, Dokumenti i Partneritetit me Bashkimin Europian.
U nënshkrua mes Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, dhe ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vëngu, në praninë e Kryeministrit Edi Rama.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas: “I dashur Edi, te dashur ministra! Është një kënaqësi e veçantë të zhvillojmë këtë ceremoni nënshkrimi sot. Është vërtet e shkëlqyer të fillojmë këtë samit të Ballkanit Perëndimor me këtë ceremoni nënshkrimi.
Ne tashmë i kemi mbështetur forcat e armatosura të Shqipërisë drejtpërdrejt dhe të dyja palët tona dëshirojmë të bëjmë më shumë, kështu që kjo marrëveshje tregon se ne do të bëjmë më shumë së bashku.
Tregon qartë investim në sigurinë tonë të përbashkët. Tregon që Shqipëria do të jetë pjesë e të gjitha këtyre tavolinave të rëndësishme ku do të diskutojmë për sigurinë dhe mbrojtjen e Europës. Na lejon gjithashtu të zgjerojmë bashkëpunimin tonë, si në Europë, ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor.
Po ashtu, Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm në procesin e anëtarësimit. Jam e lumtur që do të diskutojmë këtë dhe më tej në takimet e ditës së sotme. Kështu që mirë se vini dhe mezi pres për bashkëpunimin tonë të ardhshëm.
Kryeministri Edi Rama: Është një ditë e gjatë dhe një ditë e rëndësishme për ne, sepse kemi Samitin vjetor me Bashkimin Europian. Ndërkohë, u zgjuam me një ndjesi të këndshme se tashmë kemi hapur një tjetër grupkapitujsh.
Kështu që është një moment shumë i mirë, por para së gjithash, dua të shfrytëzoj këtë mundësi për t'ju uruar për këtë emërim dhe t'ju themi se ndihemi të privilegjuar sepse kemi kaluar një rrugë të gjatë dhe dini çfarë do të thotë të lindësh dhe të rritesh në një diktaturë, pastaj të luftosh për lirinë dhe më pas të luftosh për të ndërtuar demokracinë dhe zhvilluar shoqërinë.
Kjo marrëveshje është e rëndësishme sepse është një shenjë tjetër që lidhja jonë është e pandashme dhe që duhet të bëjmë më të mirën për ta forcuar çdo ditë e më shumë.
Dua të shpreh falënderimet e mia për Bashkimin Europian, për të gjithë ata, që në emër të Bashkimit Europian po punojnë për të shtyrë përpara këtë agjendë të ribashkimit të plotë të Europës. Kështu që, faleminderit ju dhe faleminderit gjithashtu të gjithëve dhe faleminderit atyre që na pritën!/Scantv