Secondary Adv

Huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm do të ulet në tremujorin I 2025

Huamarrja e qeverisë shqiptare në tregun e brendshëm financiar do të ulet në tremujorin e parë të vitit 2025. 


Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, huamarrja e planifikuar do të ketë vlerën e 132.5 miliardë lekëve, në rënie me 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Në pjesën më të madhe, huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm financiar konsiston në rinovim ose rifinancim të instrumenteve të maturuara. Rifinancimi i borxhit ekzistues tentohet të bëhet kryesisht nëpërmjet bonove të thesarit, ndërsa mbulimi i deficitit të ri të krijuar synohet të realizohet nëpërmjet obligacioneve.

 

Zakonisht, tremujori i parë i vitit është periudha me përqendrimin më të madh të huamarrjes së qeverisë shqiptare. Kjo ndodh kryesisht për shkak të një prirjeje më të madhe të investitorëve, kryesisht bankave tregtare, për të ndjekur objektivat e buxheteve vjetore në pjesën e parë të vitit.

 

Por, nga ana tjetër shpenzimet buxhetore realizohen në pjesën dërrmuese në muajt e fundit të vitit, sidomos në pjesën që u takon investimeve publike. Madje, në vitet e fundit, i gjithë deficiti buxhetor është shpenzuar në muajin dhjetor. Huamarrja në avancë dhe krijimi i tepricave të mëdha të likuiditetit krijon kosto të shtuara për interesa borxhi.

 

Ulja e huamarrjes së brendshme në tremujorin e parë 2025 mund të jetë e lidhur edhe me planin për të emetuar Eurobondin e radhës në tregjet ndërkombëtare. Emetimi pritet të bëhet pikërisht në tremujorin I 2025, për një shumë të parashikuar prej 600 milionë eurosh.

 

Megjithatë, kjo është një vlerë indikative dhe në varësi të kushteve të tregjeve nuk përjashtohet një emetim në vlerë edhe më të madhe. Eurobondi i ri pritet të shërbejë pjesërisht për të mbuluar deficitin buxhetor të parashikuar për vitin 2025 dhe pjesërisht për të rifinancuar Eurobondin e emetuar në 2018.

 

Qeveria shqiptare tentoi të bënte një blerje mbrapsht (buy back) të pjesshme të këtij Eurobondi vjeshtën e vitit 2023, për një shumë prej 250 milionë eurosh.

 

Por, interesimi i investitorëve për ta shitur bondin para maturimit nuk ka qenë shumë i lartë dhe përfundimisht oferta e buyback u mbyll me shlyerjen e një shumë totale prej 133.3 milionë eurosh. Pjesa e mbetur e Eurobondit 7-vjeçar të vitit 2018, prej 366.7 milionë eurosh, do të rifinancohet në maturim, në tetor të vitit 2025.

 

Megjithëse huamarrje në tremujorin e parë pritet të ulet, në tërësi për vitin 2025 ajo nuk pritet të ketë ndryshime të mëdha krahasuar me vitin 2024. Sipas projektbuxhetit të vitit 2025, vlera e përgjithshme e huamarrjes së re të parashikuar për t’u financuar në tregun e brendshëm është 50 miliardë lekë, vlerë e njëjtë me atë të parashikuar në buxhetin e këtij viti.

 

Tremujori i parë 2025 pritet të ofrojë mundësi të reja investimi për investitorët e interesuar në instrumente afatgjata.

 

Ministria e Financave ka planifikuar emetimin për herë të parë të obligacioneve 20-vjeçare, në muajt janar dhe mars. Në muajin janar do ët zhvillohet gjithashtu ankandi i ri i obligacioneve 10-vjeçare, ndërsa në muajin shkurt ai i obligacioneve 15-vjeçare./ Monitor (https://monitor.al/huamarrja-e-qeverise-ne-tregun-e-brendshem-do-te-ulet-ne-tremujorin-i-2025/)


Më të lexuarat