Miratohet vendimi, krijohet regjistër digjital për objektet e konfiskuara
Qeveria ka miratuar vendimin ku përcaktohen rregullat për administrimin e regjistrit të objekteve të konfiskuara dhe të dhënave të tij.
Vendimi në fjalë i publikuar në Fletoren Zyrtare, detajon listën e institucioneve që kanë të drejtën e aksesit në regjistër dhe të kriteret që duhet të plotësojnë, ku në total janë 15 të tilla.
Institucioni administrues i regjistrit të objekteve të konfiskuara është Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Regjistri i objekteve të konfiskuara ndërvepron me bazën e të dhënave shtetërore të institucioneve të tjera, duke përdorur si të dhëna dytësore të dhënat parësore të tyre.
Sipas vendimit, të dhëna parësore të regjistrit të objekteve të konfiskuara janë dokumentacionet tekniko-ligjor të pasurisë, i cili përfshin praktikën administrative të vendimit të konfiskimit dhe miratimit të programeve të zhvillimit.
Të dhënat dytësore të regjistrit janë: Të dhënat identifikuese për personat, të cilat merren nga baza e të dhënave “Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile”, administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, si: NID; emri; mbiemri. Të dhëna identifikuese për subjektin, të cilat merren nga baza e të dhënave “Regjistri tregtar”, administruar nga Qendra Kombëtare e Biznesit, si: NIPT/NUIS; emërtimi tregtar; administrator.
Të dhënat identifikuese të pronës, të cilat merren nga “Baza shtetërore e të dhënave kadastrale ALBSCAD”, administruar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, si: numri i pasurisë; sipërfaqja e pasurisë; pronari i pasurisë, zona kadastrale; adresa e pasurisë; të dhënat e akteve juridike paraprake, si lloji i aktit, numri, data e aktit dhe të dhënat e personave të tretë.
Të dhënat e lejes së ndërtimit, të cilat merren nga baza e të dhënave “Databaza e lejeve të ndërtimit e-Leje, administruar nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, si: numri i aktit; sipërfaqja totale e pronave, të cilat preken nga ky projekt; sipërfaqja e tokës së zënë nga struktura, sipas lejes; numri i kateve mbi dhe nën tokë; numri i njësive nga leximi i projektit arkitektonik (shërbim, banim, parkim); zhvilluesi.
Informacione të tjera plotësuese, që, sipas rastit, mund të jenë aktet administrative (urdhra, vendime etj.), dhe akte të tjera të krijuara nga veprimtaria e autoriteteve përgjegjëse sipas ligjit, në funksion të procesit të konfiskimit dhe të programeve të zhvillimit apo vendime gjykate.
Regjistri i objekteve të konfiskuara plotësohet dhe administrohet në format digjital. Regjistri aksesohet vetëm nga persona të autorizuar të institucionit përkatës dhe ndërvepron me baza të tjera të dhënash shtetërore nëpërmjet platformës qeveritare të ndërveprimit. /Scan