Rregulla të reja për zonat aeroportuale: Prioritet siguria, masa administrative për shkelesit
Qeveria ka përcaktuar rregullat e zhvillimit të zonave aeroportuale.
Këshilli i Ministrave përcaktoi rregullat për zhvillimin e zonave aeroportuale, në lidhje me ndikimet që mund të kenë në sigurinë në operim, ndërtimet e propozuara apo përdorimin e tokës në zonat e mbrojtura të aeroportit dhe jashtë tyre.
Zona e mbrojtur e aeroportit, në kuptim të këtij vendimi nënkupton zonën territoriale, e cila shtrihet në një rreze prej 15 km nga pika e referimit të aeroportit. Ndërkohë, do të përjashtohen nga zbatimi i këtij vendimi aeroportet që përdoren ekskluzivisht për qëllime ushtarake.
Sipas vendimit të qeverisë, leja për zhvillim apo ndërtim në zonat e mbrojtura të aeroportit merret pranë Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit. Çdo objekt apo strukturë e planifikuar për ndërtim apo instalim në zonat e mbrojtura të aeroportit duhet që të marrë, sipas rastit miratimin ose pëlqimin nga Autoriteti i Aviacionit Civil, AAC. Objektet, strukturat apo instalimet do t’i njoftohen AAC-së në lidhje me lartësinë, koordinatat dhe strukturën apo llojin e ndërtimit.
Ndërkohë, sipas vendimit theksohet se zhvillimi, ndërtimi ose përdorimi i pasurive të paluajtshme, brenda zonës së mbrojtur të aeroportit, për aktivitete apo veprimtari, të cilat mund të tërheqin botën shtazore, do t’i njoftohen për vlerësim AAC-së. AAC-ja jep vlerësimin brenda 10 ditëve nga bërja e kërkesës.
AAC-ja përcakton nëse objektet apo strukturat e planifikuara për ndërtim apo instalim në zonat e mbrojtura janë objekte të rrezikshme për shkak të vendndodhjes, lartësisë ose mungesës së shënimit apo ndriçimit të tyre. Për këtë qëllim, subjektet zhvilluese, të cilat marrin vlerësimin pozitiv nga AAC-ja, duhet të njoftojnë këtë të fundit për fillimin e punimeve dhe përfundimin e tyre.
AAC-ja shprehet brenda 30 ditëve nga dita e bërjes së kërkesës dhe nëse AAC-ja nuk shprehet brenda 30 (tridhjetë) ditëve, kërkesa quhet e pranuar dhe pa vërejtje,sipas vendimit të përcaktuar.
Gjithashtu parashikohet, për shkeljen e dispozitave që lidhen me kryerjen e zhvillimeve apo ndërtimeve në zonat e mbrojtura të aeroportit do të merren masa administrative. /Scan