Secondary Adv

Malaj: 88 për qind e profesioneve të lira janë rimbursuar, do vijojmë për ata që deklarojnë llogarit

Deri më 18 Dhjetor 2024 janë rimbursuar 7,157 biznese të profesioneve të lira për këstet e parapagimit të tatimit apo 88% të tyre. 


Pa u rimbursuar kanë mbetur edhe 980 biznese, pasi ende nuk kanë deklaruar llogaritë bankare. Ndërsa fshirja e detyrimeve të gjeneruara si këste paraprake është bërë për 19,468 tatimpagues.

 

Nga totali i 27,605 tatimpaguesve si ofrues të shërbimeve profesionale rezulton se 30% e tyre kanë parapaguar tatimin, ndërsa pjesës tjetër iu gjenerua si detyrim.

 

Të dhënat janë bërë publike nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë Petrit Malaj në diskutimet dhe miratimin në seancën e sotme plenare të Akti Normativ për disa ndryshime në Ligjin e Tatimit mbi të Ardhurat. Ministri Malaj tha se asnjë tatimpagues nuk humbet të drejtën e rimbursimit të shumave të paguara, dhe se procesi do të vijojë edhe në 2025.

 

“Nga verifikimi i të dhënave rezultoi se ofrues të shërbimeve profesionale ishin në total 27,605 tatimpagues. Për një pjesë të tyre, detyrimi ishte kthimi i parapagimeve të gjeneruara, ndërsa për një pjesë do të duhej të fshiheshin detyrimet e gjeneruara si këste paraprake.

 

Më konkretisht hapat e ndërmarra nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nga miratimi i aktit në qeveri deri tani janë: Për 19,468 tatimpagues – fshirja e detyrimeve të gjeneruara si këste paraprake; Për 8,137 tatimpagues – krijimi i procedurës së rimbursimit

 

Pas, evidentimit të tatimpaguesve, Administrata Tatimore ndërmori njoftimin publik, me qëllim që tatimpaguesit të bënin verifikimin dhe saktësimin e llogarive bankare të vetëdeklaruara në e-Filing, brenda datës 10 dhjetor 2024.

 

Rezultoi se 1,809 tatimpagues nuk kishin një llogari të tillë në sistemin e -Filing dhe për këtë kategori afati u shty deri në datë 18 dhjetor 2024. Po, në këtë datë (18 dhjetor), Administrata Tatimore mundësoi edhe kryerjen e rimbursimit të pagesave të kryera si këste paraprake për 7,157 tatimpagues.

 

Procesi i rimbursimit të pagesave të kryera do të vijojë çdo ditë, për secilin prej 980 tatimpaguesve, që do të deklarojnë llogarite bankare.

 

Më duhet të theksoj dhe të qartësoj se asnjë tatimpagues nuk do të humbasë të drejtën e rimbursimi. E përsëris: Asnjë! Edhe nëse ka tejkalim të afateve të deklarimit të llogarive bankare, procesi do të vijojë të zbatohet nga Drejtoritë Rajonale Tatimore edhe gjatë vitit 2025”.

 

Ministri Malaj tha se miratimi i Aktit Normativ synon shmangien e trajtimit të diferencuar për subjektet që ofrojnë shërbime profesionale.

 

“E në fakt, këto parime kanë udhëhequr Ministrinë e Financave edhe në kohën kur ky ligj i ri u hartua.

 

Ajo çka evidentuam ishte fakti se në atë periudhë, nga rreth 110 mijë tatimpagues aktivë, gati 46% operonin në fushën e shërbimeve. E teksa numri i bizneseve që operonin në këtë fushë rritej, numri i të punësuarve ulej. 

 

Nga ana tjetër ishin konstatuar edhe shmangie tatimore. Kalohej nga ofrimi i shërbimeve si i punësuar (tatimi progresiv 0 %; 13 % dhe 23 %), në ofrimin e shërbimeve si i vetëpunësuar (ku norma e tatimit është 0 % për të ardhura deri 14 milionë lekë në vit).

 

Hyrja e ligjit në fuqi, në Janar të vitit 2024, parashikonte që të vendosej barazia dhe të eliminohej parimi i neutralitetit të tatimit ( ku një i punësuar dhe një i vetëpunësuar, të cilët bënin të njëjtën punë, kishin diferencim të papranueshëm të barrës fiskale. I pari 0 % tatim i dyti 13% dhe 23 % tatim mbi të ardhurat).

 

Ndaj, u parashikua që furnizuesit e shërbimeve profesionale të përfshiheshin në skemën progresive tatimore njësoj si të punësuarit.

 

Kjo dispozitë që kishte si synim vendosjen e barazisë u kundërshtua nga grupet e interesit dhe çështja kaloi në Gjykatën Kushtetuese, e cila, pasi e shqyrtoi, me Vendim nr. 52 datë 27.06.2024 e shfuqizoi si të papajtueshëm me Kushtetutën.

 

Ky vendim shfuqizoi skemën tatimore e cila përfshinte furnizuesit e shërbimeve profesionale me qarkullim deri në 14 milionë lekë, por nuk shprehej lidhur me efektet e prodhuara nga këto akte ligjore dhe nënligjore.

 

Në këto kushte, Ministria e Financave ndoqi rrugën ligjore, duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për të interpretuar dhe për t’u udhëzuar mbi procedurat se si duhet të vepronim për efektet që prodhoi ligji nga hyrja në fuqi deri në momentin e shfuqizimit.

 

Gjykata Kushtetuese nuk u shpreh, duke lënë të nënkuptohej që efektet e prodhuara ishin legjitime”, nënvizoi ministri Malaj.

 

Nga Gjykata Kushtetuese u vendos më 27 Qershor 2024 unanimisht rrëzimi i nenit 69 që diskriminonte profesionistët e lirë nga tatimi prej 15%. Tatimi i profesionistëve të lirë do të fillojë në vitin 2029, njësoj me bizneset e tjera.

 

Nga ky ligj do të prekeshin rreth 27 mijë profesionistë të lirë, ku rezulton se 30% e tyre parapaguan këstet e tatimit 15%, të cilat u përllogaritën në bazë të fitimeve të vitit 2023, duke shkaktuar dhe debate të shumta, pasi qeveria nuk njohu shpenzimet e zbritshme prej 30%.

 

Llogaritet që nga tatimi i parapaguar janë arkëtuar rreth 5 mln euro./ Monitor (https://monitor.al/88-e-profesioneve-te-lira-jane-rimbursuar-malaj-do-vijojme-per-ata-qe-deklarojne-llogarite/)


Më të lexuarat