
Kosova dhe Shqipëria në seancë të përbashkët parlamentare, ja çfare u diskutua
Kuvendet e Kosovës dhe Shqipërisë kanë mbajtur të premten një seancë të përbashkët parlamentare në Prishtinë, ku liderët e të dyja vendeve theksuan mbështetjen e ndërsjellë për njëra-tjetrën.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje që Kosova dhe Shqipëria të forcojnë koordinimin e bashkërendimin.
Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës ajo ka thënë se autoritetet e të dyja shteteve duhet ta ngrenë zërin më shumë se kurrë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe atyre në Maqedoninë e Veriut.
“Është me rëndësi unifikimi i politikës sonë të jashtme, si dhe bashkëpunimi në mbrojtje të pavarësisë të Kosovës dhe sovranitetit tonë dhe në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë. Shqiptarët në Luginë i kanë sytë kah ne, atyre vazhdimisht u shkelen të drejtat, derisa bota demokratike po i mbyll sytë. Duhet ta ngrisim zërin më shumë se kurrë që të ndërpriten këto shkelje.
Derisa po flasim akoma ekzistojnë tendenca për të shkundur themelet mbi të cilat është ndërtuar Maqedonia e Veriut, pra për të destabilizuar edhe këtë vend duke larguar të drejtat e shqiptarëve. Nuk duhet të qëndrojmë as të heshtur e as t’i mbyllim sytë para këtyre tendencave të qarta”, ka thënë ajo në seancën e përbashkët të kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë.
Osmani ka theksuar se shtetet duhet ta shfrytëzojnë momentin për të ndërtuar unitet.
“Një Shqipëri më e fortë, do të thotë një Kosovë edhe më e fortë. Një Kosovë më e suksesshme e ngrit edhe më lart Shqipërinë. Historia nuk do të na gjykojë me dashamirësi nëse nuk arrijmë ta shfrytëzojmë këtë moment për të ndërtuar harmoninë dhe unitetin e domosdoshme”.
Për t’i tejkaluar pengesat me të cilat përballet, Osmani ka thënë se Kosovës i duhet mbështetja e vazhdueshme e Shqipërisë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i lartësoi lidhjet mes popujve të Shqipërisë dhe e kritikoi Bashkimin Evropian për qëndrimet e tij ndaj Prishtinës.
“Jemi i vetmi komb që flet një gjuhë po aq të vjetër sa vetë gjeneza e Perëndimit. Dëshira ime është që të mos jemi njëri në tryezën e bisedimeve për anëtarësim në Bashkim Evropian, ndërsa tjetri nën sanksione të BE-së, të cilat, meqë ra fjala, sot janë një absurditet absolut”, tha Rama.
Derisa Shqipëria i hapi kapitujt e parë në negociatat për anëtarësim në BE në tetor, Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bllok.
Rama tha se ai dhe presidentja e Kosovës, kërkuan heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës gjatë një samiti BE-Ballkani Perëndimor të mërkurën në Bruksel.
Ai ka thënë se Shqipëria dëshiron që ta ndihmojë Kosovën me gjithë sa ka në dorë, por tha se pezmatimi i aleatëve me Kosovën.
“Ne duam ta ndihmojmë Kosovën me të gjitha sa kemi në dorë Kosovën…por mundësitë tona, mos e harroni asnjëherë, as që mund të krahasohen me mundësitë e miqve dhe aleatëve tonë strategjikë dhe pezmatimi i tyre me Kosovën na pengon të bëjmë sa do të donim dhe do të mundim të bënim në këtë kohë kur të gjitha yjet janë rreshtuar në favor të shqiptarëve, të shansit tonë historik si komb shqiptar, për t’u bashkuar përmes dy shteteve tona me Evropën”.
Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e përbashkët të kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, ka thënë se të dyja shtetet kanë shumë punë për të bërë për të lehtësuar bashkëpunimet e natyrshme midis qytetarëve të të dyja shteteve.
Ai ka përmendur edhe poetin shqiptar Primo Shllaku me thënien e tij se “Kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë është si kufiri mes dy barkusheve të zemrës”.
“Kuvendet kanë rol të rëndësishëm për miratimin e marrëveshjeve dypalëshe dhe po ashtu edhe për monitorimin e zbatimit tyre. Komisionet e përbashkëta parlamentare të ngritura enkas për marrëdhëniet dhe marrëveshjet mes dy shteteve besoj se do të ndihmonin në këtë drejtim”, ka thënë Kurti.
I pari i ekzekutivit kosovar tha se ndarja e 4 milionë eurove të buxhetit të Kosovës për Luginën e Preshevës duhet të jetë shembull edhe për Shqipërisë.
“Kemi punë përpara për të bërë jo vetëm për qytetarët tanë, por edhe për ndihmuar për sigurinë dhe jetesën e dinjitetshme të shqiptarëve në shtetet fqinje në Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi, si dhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës në Serbi. Shqiptarët në Serbi janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë, andaj ata kërkojnë vëmendje më të madhe në bashkërendimin e politikave rajonale të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës. Shqiptarët nuk janë fajtorë që janë autoktonë. Në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi ndarë si Qeveri e Kosovës katër milionë euro për Luginën e Preshevës. Uroj të shërbejë kjo si një shembull edhe për Shqipërinë”.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha në hapje të seancës se Kosova dhe Shqipëria janë me njëra tjetrën “në çdo rrethanë dhe pa asnjë kusht, duke qenë se ne nuk mund të përfaqësojmë tjetër gjë përveç se interesin kombëtar të kombit që për ne është i përbashkët”.
Ai e falënderoi Qeverinë e Shqipërisë për mbrojtjen e interesave të Kosovës dhe mbrojtjen e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“E drejta e Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit dhe integriteti, forcimit ligjit, nuk mund të konsiderohen cenim i fqinjësisë së mirë dhe as përshkallëzim i raporteve me fqinjët. Është Serbia që nuk na e pranon as statusin e fqinjit por ambiciet e aj hegjemoniste vazhdon t’i ketë të kodifikuara në Kushtetutë”.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, tha se Tirana dhe Prishtina ndajnë synimet dhe vizionet e njëjta drejt integrimeve evropiane.
“Realizimi i objektivit tonë anëtarësimi në BE, integrimi euroatlantik i Kosovës dhe njohja përfundimtare e saj si realitet i pakthyeshëm, rritja e rolit të faktorit shqiptar, stabiliteti për paqe dhe siguri, janë detyrat tona, themeli i të ardhmes sonë”.
Objekt i kësaj seance do të jetë për koordinimi i agjendës kombëtare për realizimin e objektivave strategjike. Më konkretisht, bëhet fjalë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, integrimi euroatlantik i Kosovës, mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të shqiptarëve dhe rritja e kontributit të faktorit shqiptar në zhvillimin, demokratizimi, paqja e siguria në rajon.
Kjo është hera e dytë që Shqipëria dhe Kosova organizojnë një mbledhje të përbashkët të dy Kuvendeve. Për herë të parë dy Kuvendet zhvilluan takim më 27 nëntor 2022, me rastin e 110-Vjetorit të pavarësisë./ Monitor (https://monitor.al/duhet-te-jemi-bashke-ne-tryezen-e-be-se-kosova-dhe-shqiperia-ne-seance-te-perbashket-parlamentare/)
Më të lexuarat








