Nga ndërhyrjet në Ksamil tek zipline në Përmet, disbursimet për projektin me BB arrijnë 58 mln USD
Projektet për zhvillimin e integruar urban dhe turizmin të mbështetura nga Banka Botërore kanë arritur në një nivel disbursimi prej 58 milionë dollarësh.
Në vlerësimin e fundit të ecurisë së projekteve ku janë paralelisht dy linja kredish Banka e cilëson ecurinë e tyre të kënaqshme duke nënvizuar disa nga punimet e përfunduara dhe disa nga ato që janë ende në proces.
“Punime të mëdha civile kanë përfunduar në katër bashkitë e projektit, duke përfshirë përmirësimin e integruar urban në Berat dhe Përmet; rruga e kalasë së Beratit për këmbësorët dhe aksesin e automjeteve, shëtitorja dhe shkallët e Sarandës, Pazari i Gjirokastrës dhe Sistemi i Muzeve, rehabilitimi i Kalasë së Gjirokastrës dhe Sheshi Çerciz i Gjirokastrës.
Veprat për përmirësimin e integruar urban në Gjirokastër dhe Sarandë janë në zbatim.
Janë publikuar pesë kontrata për ofertim për punë civile duke përfshirë Përmirësimin e Integruar Urban të Borshit, Përmirësimin e Integruar Urban të Orikumit, Përmirësimin e integruar urban të Ksamilit, Restaurimi i Kalasë së Kaninës dhe Borshit, Qendra Nënujore në Sarandë dhe Zipline në Përmet” thuhet në vlerësimin e fundit të Bankës të bërë publik këto ditë.
Konkretisht projekti në fjalë për turizmin mbështetet me dy linja kredie një më e hershme më vlerë 71 milionë dollarë ku deri më tani janë disbursuar 55.5 milionë USD dhe mbeten akoma 15 milionë të tjera për disbursim.
Ndërsa nga kredia e projektit të dytë që është vijim i së parës janë disbursuar vetëm 7.5 për qind e totalit prej 34.6 milionë dollarë çka do të thotë se mbeten akoma edhe 31.86 milionë dollarë.
Të dyja këto kredi parashikohet që të mbyllen deri në 31 korrik 2025 kur shumica e punëve të parashikuara për financim përmes tyre të jetë përmbyllur. Autoriteti Kontraktor që ndjek zbatimin e kontratave në këto projekte është Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Projektet kanë katër komponentë përbërës ku pjesën më të madhe e zënë përmirësimet infrastrukturore ndërsa një pjesë tjetër me përmirësimin e siteve turistike si dhe zhvillimi i tregjeve të turizmit dhe produkteve turistike.