
Trump kërcënon BE të blejë naftë dhe gaz nga SHBA ose do të përballet me tarifa
Presidenti i zgjedhur i SHBA-së paralajmëron bllokun se vendet anëtare do të përballen me tarifa nëse nuk bëjnë blerje të mëdha.
Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar Bashkimin Europian se duhet të blejë sasi “të mëdha” të naftës dhe gazit të SHBA-së ose do të përballet me tarifa.
BE-ja është e dëshpëruar për të shmangur një luftë tregtare me Trump dhe e ka kaluar muajin e fundit duke garuar për të hartuar mënyra të mundshme, për të shmangur tarifat duke rritur blerjet e mallrave amerikane si gazi natyror i lëngshëm (LNG) ose produktet bujqësore.
“I thashë Bashkimit Europian se ata duhet të plotësojnë deficitin e tyre të jashtëzakonshëm me Shtetet e Bashkuara, me blerjen në shkallë të gjerë të naftës dhe gazit tonë. Përndryshe, do të ketë TARIFA kudo!!!” Trump shkroi në platformën e tij “Truth Social” të premten.
Kërcënimi i Trump vjen pas hapave të bëra tashmë nga Brukseli, duke sugjeruar se shtetet anëtare mund të blejnë më shumë LNG nga SHBA, i cili ka qenë një mjet shpëtimi për bllokun, pasi Rusia pakësoi furnizimet me lëndë djegëse fosile pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.
Zyrtarët e BE-së kanë filluar gjithashtu punën për ‘hakmarrjet’ e mundshme tregtare, nëse Trump do të vendosë tarifa, por janë të prirur të shmangin një konflikt ekonomik me Shtëpinë e Bardhë, duke pasur parasysh fusha të tjera të mbështetjes në SHBA, siç është mbrojtja.
Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen tha në nëntor se BE do të konsideronte blerjen e më shumë gazi nga SHBA.
“Ne ende marrim shumë LNG nga Rusia dhe pse jo ta zëvendësojmë atë me LNG amerikan, i cili është më i lirë për ne dhe ul çmimet tona të energjisë,” u tha ajo gazetarëve.
Një zyrtar i BE-së vërejti: “Duket i çuditshëm të jetë “kërcënim”, duke pasur parasysh që von der Leyen aludoi për mundësinë për të bërë pikërisht këtë.”
SHBA është tashmë furnizuesi më i madh i LNG dhe naftës në BE. Në gjysmën e parë të vitit 2024, SHBA-ja siguroi rreth 48 % të importeve të LNG-së të bllokut, krahasuar me 16 % nga Rusia.
Amerika furnizoi 15 % të importeve të naftës së BE-së në tremujorin e tretë, sipas Eurostat.
Trump ka kërcënuar një tarifë totale deri në 20 % për të gjitha importet jo-kineze të SHBA. Muajin e kaluar, presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, u kërkoi udhëheqësve politikë të Europës, që të bashkëpunojnë me të për tarifat dhe të blejnë më shumë produkte të prodhuara në SHBA.
Analistët e energjisë thanë se SHBA do të duhet të zgjerojë prodhimin e LNG, për të furnizuar më shumë BE-në.
Nafta bie për shkak të shqetësimeve për rritjen e kërkesës dhe dollarit të fortë
Çmimet e naftës ranë të premten për shkak të shqetësimeve për rritjen e kërkesës në vitin 2025, veçanërisht në importuesin kryesor të naftës së papërpunuar, Kinën.
Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar Brent ranë me 33 cent, ose 0.45%, në 72.55 dollarë për fuçi. Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar të Teksasit Perëndimor u lehtësuan me 32 cent, ose 0.46%, në 69.06 dollarë për fuçi.
Rafineria shtetërore kineze Sinopec tha në perspektivën vjetore të energjisë, të publikuar të enjten se importet e naftës së papërpunuar të Kinës mund të arrijnë kulmin që në vitin 2025 dhe konsumi i naftës në vend do të arrijë kulmin deri në vitin 2027, pasi kërkesa për naftë dhe benzinë dobësohet.
Ndërkohë, rritja e dollarit në nivelin më të lartë dy-vjeçar ndikoi gjithashtu në çmimet e naftës, pasi Rezerva Federale njoftoi se do të ishte e kujdesshme për uljen e normave të interesit në 2025.
Një dollar më i fortë e bën naftën më të shtrenjtë për mbajtësit e monedhave të tjera, ndërkohë që një ritëm më i ngadaltë i uljes së normave, mund të zvogëlojë rritjen ekonomike dhe kërkesën për naftë. / FT, Reuters
/Monitor (https://monitor.al/trump-kercenon-be-ne-te-bleje-nafte-dhe-gaz-nga-shba-ose-do-te-perballet-me-tarifa/)
Më të lexuarat








