Hapet thirrja për investimet sociale për 61 bashki të vendit, ja cfarë përfshijnë projektet
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, njofton se është hapur thirrja për aplikimet për investime në kuadër të Programit të Strehimit Social për periudhën 2025-2026.
Kjo thirrje shkon për të 61 bashkitë e vendit.
Sipas njoftimit, projektet e mbështetura përfshijnë, banesa sociale nëpërmjet adaptimit të objekteve ekzistuese ose ndërtimit të ri, përmirësim i banesave për komunitete të pafavorizuara, përmirësim i infrastrukturës veçanërisht në zona informale, streha të përkohshme përmes blerjes, montimit ose adaptimit të objekteve ekzistuese.
Ndërkohë, bashkitë duhet të dorëzojnë dokumentacionin e plotë pranë Drejtorisë së Strehimit brenda datës 31 janar të vitit 2025.
Por cilat janë rezultatet e deritanishme nga program i strehimit?
Të dhënat tregojnë se nga viti 2016, dhe deri në fund të 8-mujorit të vitit 2024 janë adresuar nevojat e 21,908 familjeve, duke realizuar objektivin në masën 62.5%.
Ndërkohë, sa i takon realizimit të 8 mujorit 2024 janë arritur disa rezultate, ku 5 644 familje kanë përfituar nga subvencionimi i interesave për kreditë ekzistuese, 183 familje kanë përfituar subvencionim të interesave për kredi të reja.
Gjithashtu, nga numri i familjeve 52 përfitues i përkasin programit të trajtimit me kredi të lehtësuar të administratës publike. Po kështu, 1260 familje kanë përfituar subvencionim të qirasë; 369 familje kanë përfituar subvencionim qiraje për shpronësimin nga ndërtimi i Unazës së madhe me një kosto prej 40.7 milionë lekë dhe 22 familje kanë përfituar nga grant i menjëhershëm për banesat me kosto të ulët, me një kosto prej 4.7 milionë lekë, sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./Scantv