Secondary Adv

PBB rritet me 4,09 për qind në korrik-shtator nga turizmi, ndërtimi dhe rritja e pagave

Për të gjithë 9- mujorin rritja ekonomike rezulton 4.02%.

Ekonomia e vendit u rrit me 4.09% në 3-mujorin e  tretë të vitit 2024 si rrjedhojë e ecurisë pozitive në  turizëm, ndërtim dhe efektit pozitiv në konsum që dha rritja e pagave në arsim dhe shëndetësi.

Për të gjithë 9- mujorin rritja ekonomike rezulton 4.02%.  Të dhënat tregojnë se ekonomia po ekspozohet ne vetëm pak sektorë jo të qëndrueshëm teksa prodhimi me sektorët e bujqësisë dhe industrisë janë në rënie.

Sipas INSTAT për tremujorin e tretë të vitit Kontribut pozitiv kanë dhënë degët: “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” me +1,30 pikë  përqindje, “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia” me +0,91 pikë përqindje, “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative” me +0,81 pikë përqindje, “Ndërtimi” me +0,58 pikë përqindje, “Aktivitete të pasurive të paluajtshme” me +0,20 pikë përqindje,

“Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,10 pikë përqindje, “Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi” me +0,07 pikë përqindje.

Negativisht kontribuuan grupet:

“Industri, Energji dhe Uji” me -0,43 pikë përqindje, “Bujqësi, Pyje dhe Peshkim” me -0,41 pikë përqindje dhe “Informacioni dhe Komunikacioni” me -0,12 pikë përqindje.

“Taksat Neto mbi produktet” kontribuuan pozitivisht me +1,06 pikë përqindje.

Degët kryesore të ekonomisë, për tremujorin e tretë të vitit 2024, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2023, paraqiten si më poshtë: Grupi “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative” shënoi rritje 11,64% i ndjekur nga grupi i aktiviteteve të “Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë” i cili shënoi rritje 8,36%.

Grupi “Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit” shënoi një rritje prej 6,27%, grupi i aktiviteteve “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” shënoi rritje prej 6,19%, aktiviteti i “Ndërtimit” shënoi rritje me 5,30%, aktiviteti i “Pasurive të Paluajtshme” shënoi rritje prej 4,33% dhe grupi i aktiviteteve “Arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të tjera shërbimi” pati rritje me 3,88%.

Ndërsa grupi i aktiviteteve “Informacioni dhe Komunikacioni” shënoi rënie prej -5,25, aktivitetet e “Industrisë, Energjisë dhe Ujit” shënuan rënie me -4,04% dhe aktiviteti i “Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit” shënoi ulje me -2,54%. Taksat Neto mbi produktet u rritën me 7,93%.

Treguesi i Produktit të Brendshëm Bruto i përshtatur sezonalisht, në tremujorin e tretë 2024, krahasuar me tremujorin paraardhës, vlerësohet me rritje prej 2,76%.

Grupi “Arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të tjera shërbimi” shfaqi rritje me 7,20%, grupi “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative” shfaqi rritje me 5,70%, Aktiviteti i “Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë shfaqi rritje me 3,11%, Aktiviteti “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” shfaqi rritje me 1,93%, Aktiviteti i “Industrisë, Energjisë dhe Ujit” shfaqi rritje prej 1,19%, Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit shfaqi rritje me 0,77 %, “Informacioni dhe Komunikacioni” shfaqi rritje me 0,67 %, dhe “Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme u shfaq me rritje prej 0,33%.

Ndërsa me rënie u shfaq Aktiviteti i “Ndërtimit” me 8,27% dhe grupi “Bujqësi, Pyjeve dhe Peshkim” shënoi rënie prej 0,85%. Taksat Neto mbi produktet patën një rritje me 2,02%.

Konsumi në rritje

Produkti i Brendshëm Bruto sipas metodës së Shpenzimeve Komponentët kryesorë të PBB–së me metodën e shpenzimeve, për tremujorin e tretë të vitit 2024, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2023, paraqiten si më poshtë:

– Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit në terma realë me 0,83%;

– Konsumi final i qeverisë u rrit me 6,80%; – Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u rrit me 4,52%;

– Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 2,32% dhe importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 6,82%.

Sipas të dhënave të përshtatura sezonalisht, ndryshimet në krahasim me tremujorin paraardhës, shfaqen si më poshtë:

– Konsumi final i popullatës shënoi rënie prej 2,31%; – Konsumi final i qeverisë u shfaq me një rritje prej 0,72%;

– Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u shfaq me një rritje prej 1,40%; – Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 4,92% gjithashtu edhe importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 1,15%./Monitori (https://monitor.al/pbb-rritet-me-409-ne-korrik-shtator-nga-turizmi-ndertimi-dhe-rritja-e-pagave/)


Më të lexuarat