Secondary Adv

Yield-et e bonove 12-mujore prekin minimumin historik, zbresin poshtë normës bazë së interesit

Yield-et e bonove 12-mujore ranë përsëri në ankandin e kësaj jave, duke zbritur për herë të parë poshtë nivelit të normës bazë të interesit.

Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar arriti në 2.73%, nga 2.84% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, që ishte zhvilluar në muajin nëntor.

 

Kërkesa e investitorëve në ankand ishte edhe në këtë rast e lartë, me më shumë se 9.5 miliardë lekë, nga 6 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave. Megjithatë, Ministria e Financave vendosi të ulë lehtë shumën e pranuar të ofertave në 5.8 miliardë lekë, çka ndikoi në uljen e mëtejshme të yield-it.

 

Yield-i mesatar i këtyre instrumenteve ka prekur nivelin më të ulët që prej qershorit të vitit 2022. Në atë periudhë, normat e interesit ishin në fillim të ciklit të tyre rritës, si reagim ndaj inflacionit të lartë. Duke e vlerësuar yield-in e bonove 12-mujore në raport me normën bazë të interesit, ky tregues paraqitet në nivelet më të ulëta historike.

 

Yield-et me marzhe minimale mbi normën bazë të interesit kanë qenë karakteristike për këtë vit, madje në emetimet e rralla të bonove 3-mujore dhe 6-mujore yield-et kanë zbritur ndjeshëm poshtë normës bazë. Edhe bonot 12-mujore në fund të muajit tetor kishin barazuar normën bazë, ndërsa këtë javë ranë për herë të parë poshtë saj.

 

Rënia rekord e yield-eve mund të shpjegohet me gjendjen e mirë të likuiditetit në treg, rënien e fortë të pritshmërive inflacioniste, tkurrjen e huamarrjes së brendshme të qeverisë, por edhe me uljen e rreziqeve të perceptuara nga investitorët.

 

Inflacioni këtë vit ka zbritur poshtë objektivit të Bankës Qendrore dhe në muajin nëntor ishte në nivelin 2%. Banka e Shqipërisë ka reaguar duke ulur normën bazë të interesit dy herë dhe duke e çuar atë në nivelin 2.75%.

 

Ndërkohë, borxhi publik në dy vitet e fundit është rënie të ndjeshme, sidomos falë efektit të forcimit të lekut në kursin e këmbimit, por edhe një politike fiskale më të shtrënguar. Ulja e borxhit public ka sjellë edhe përmirësimin e vlerësimit të borxhin Sovran të vendit ka agjencitë Moody’s dhe S&P Global Ratings.

 

Për herë të parë këtë vit, tregu i instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare në lekë ka tërhequr edhe investitorë institucionalë nga jashtë.

 

Ulja e yield-eve dhe sidomos e atyre të bonove 12-mujore, që janë edhe instrumenti kryesor benchmark për monedhën Lekë, ndikon direkt edhe në uljen e normave të interesit të kredive në monedhën vendase. Normat relativisht të ulëta të interesit kanë favorizuar një rritje të shpejtë të kreditimit gjatë vitit 2024. Kreditimi po shënon rritje vjetore me më shumë se 12%, niveli më i lartë në 15 vitet e fundit. 

 

/Monitor (https://monitor.al/yield-et-e-bonove-12-mujore-zbresin-poshte-normes-baze-niveli-me-i-ulet-ne-dy-vite-e-gjysme/)


Më të lexuarat