Secondary Adv

Anketa: Shqiptarët ndjehen më të pasigurtit ekonomikisht në Rajon

Qytetarët shqiptarë ndihen më të pasigurtë në aspektin ekonomik në raport me ata të 5 vendeve të tjera.

Një anketë e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) me 6 mijë qytetarë që synon të masë perceptimin për sigurinë në Ballkan evidentoi se qytetarët shqiptarë ndihen më të pasigurtë në aspektin ekonomik në raport me ata të 5 vendeve të tjera.

 

Mali i Zi dhe Kosova kanë nivelet më të larta të sigurisë ekonomike të perceptuar, me përkatësisht 57% dhe 54% të qytetarëve të tyre që ndihen të sigurt, ndërsa Shqipëria ka përqindjen më të lartë të qytetarëve që ndihen të pasigurt për ekonominë e tyre (32%).

 

Për të ardhmen, Shqipëria dhe Bosnja shfaqen nivele më të larta të pesimizmit.

 

36 % e qytetarëve shqiptarë dhe 34 % e boshnjakëve shfaqën pritshmëri negative, duke reflektuar rritje të pesimizmit.

 

Qytetarët e Rajonit u përgjigjën se ata janë plotësisht ose kryesisht të pakënaqur me mënyrën se si po shkojnë gjërat në ekonomitë e tyre (39%), 31% të tjerë nuk mbajnë një qëndrim të qartë, ndërsa një pjesë më e vogël prej 28% janë plotësisht ose kryesisht të kënaqur.

 

Në aspektin ekonomik, qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë më të pakënaqurit (47%), të ndjekur nga të anketuarit nga Shqipëria (43%) dhe Bosnja dhe Hercegovina (41%).

 

Rezultatet e SecuriMeter 2024 tregojnë se shqetësimet kryesore ekonomike për banorët e Ballkanit Perëndimor janë kostot e larta të jetesës dhe inflacioni, të identifikuara si problematika kryesore nga 77% e të anketuarve në të gjitha vendet. Pagat janë shqetësimi i dytë kryesor, i përmendur nga 55%, me ndryshime të konsiderueshme midis ekonomive; ky shqetësim vazhdon pavarësisht rritjeve të fundit të pagave për shkak të rritjes së kostove të jetesës.

 

Të anketuarit e moshuar (65+) janë veçanërisht të shqetësuar për sistemin e pensioneve, me 61% që e shohin atë si problemin më urgjent ekonomik. Pabarazitë socio-ekonomike janë gjithashtu të dukshme, me 36% të të anketuarve që theksojnë hendekun e pasurisë dhe papunësinë si çështje kyçe, dhe dallimet e dukshme gjinore në shqetësimet mbi papunësinë dhe çmimet e karburanteve.

 

Çështje të tjera, si varfëria (49%) dhe korrupsioni (48%), janë shqetësime kryesore, veçanërisht në mesin e individëve më pak të arsimuar dhe të moshuar. Nivele të larta shqetësimi për shpopullimin dhe emigracionin gjenden në Shqipëri (64%), Kosovë (53%) dhe Maqedoninë e Veriut (49%), ndërsa shqetësimet për krimin e organizuar, terrorizmin dhe ndikimin e huaj janë më të theksuara tek banorët më të arsimuar. dhe ato në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi.

 

Në përgjithësi, këto gjetje theksojnë një nivel të konsiderueshëm pakënaqësie midis qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, duke treguar një nevojë kritike për adresimin e shqetësimeve të sigurisë ekonomike.

 

/Monitor (https://monitor.al/shqiptaret-ndjehen-me-te-pasigurtit-ekonomikisht-ne-rajon/)


Më të lexuarat