Interesat e depozitave, në rënie për të pestin muaj radhazi
Normat e interesit të depozitave me afat në lekë pësuan rënie për të pestin muaj radhazi në tetor 2024.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit për depozitat e reja zbriti në 1.85%, nga 1.87% që kishte qenë në muajin shtator. Interesi mesatar i depozitave me afat ra në nivelin më të ulët që nga muaji janar i vitit 2024.
Interesat e depozitave duke se po vazhdojnë të ndjekin lëvizjet e normës bazë të interesit dhe normat e interesit në segmentet e tjera të tregut, sidomos të yield-eve të instrumenteve të borxhit të qeverisë. Gjatë vitit 2024, Banka e Shqipërisë e ka ulur dy herë normën bazë të interesi, nga 3.25% në 2.75%.
Këto lëvizje janë përcjellë shpejt në normat e interesit të tregut të brendshëm financiar. Yield-et e bonove dhe obligacioneve kanë rënë për të gjitha maturitetet. Madje, në ankandin e fundit të muajit dhjetor, bonot 12-mujore të thesarit, që janë edhe instrumenti kryesor benchmark për tregun e brendshëm, kanë zbritur poshtë normës bazë të interesit, në nivelin 2.73%.
Ulja e normës bazë dhe yield-eve është reflektuar edhe në norma më të ulëta të interesit të kredive. Banka duket se kanë reaguar duke ulur lehtë, në terma mesatarë, normat e interesit që paguajnë për depozitat e publikut.
Ndërkohë, edhe interesat e depozitave në euro kanë nisur rënien dhe ngelen në nivele edhe më të ulëta krahasuar me depozitat në lekë. Sipas Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit të depozitave të reja në euro gjatë muajit tetor ra më tej në 1.18%.
Edhe Banka Qendrore Europiane këtë vit ka nisur uljen e normave të interesit, duke ndjekur rënien e inflacionit dhe stanjacionin e ekonomisë së Eurozonës.
Norma bazë e interesit për financimin e bankave ka zbritur tashmë në 3.15%, nga niveli maksimal prej 4.5% që kishte arritur në vjeshtën e vitit 2023. Kjo ulje është reflektuar shpejt në ecurinë e Euriborit dhe normave të tjera të interesit në tregjet europiane. Euribori 12 mujor ka rënë tashmë në nivelin 2.46%, nga 3.55% që kishte qenë një vit më parë.
Pavarësisht rënies së normave të interesit, depozitat kanë vijuar rritjen pozitive edhe për vitin 2024. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i depozitave në fund të muajit tetor arriti vlerën e 1.65 trilionë lekëve, në rritje me 5.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në mungesë të zhvlerësimit të mëtejshëm të euros në kursin e këmbimit, rritja do të kishte qenë edhe më e lartë. /Scan