Secondary Adv

Bumi i turizmit nuk ndikon në punësim, rritje vetëm 1.8 për qind në korrik-shtator

Të dhënat administrative mbi punësimin tregojnë se zhvillimet në tregun e punës kanë qenë të vakëta.

Sektori i turizmit është përfshirë në zhvillime të vrullshme prej rritjes së numrit të vizitorëve dhe zgjerimit të strukturave akomoduese, por të dhënat administrative mbi punësimin (punonjësit e deklaruar në tatime me sigurime) tregojnë se në sektorin privat, numri i të punësuarve u zgjerua me bazë vjetore vetëm 1.8% në 3-mujorin e tretë të këtij viti.

 

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në 3-mujorin e tretë të vitit ishin të punësuar 568 mijë persona ose 10,486 më shumë se një vit më parë në të njëjtën periudhë (1.8% më shumë). Nga ana tjetër numri i të punësuarve në sektorin publik arriti në 180,382 mijë, ose vetëm 1307 persona më shumë se tremujori i tretë 2023 (rritje 0.7%).

 

INSTAT nuk ka publikuar këtë vit asnjë të dhënë mbi punësimin nga Anketa së Forcës së Punës që është edhe treguesi zyrtar i papunësisë.

 

Të dhënat administrative mbi punësimin tregojnë se zhvillimet në tregun e punës kanë qenë të vakëta, por ato nuk japin hollësi mbi sektorët e ekonomisë.

 

Vitin e kaluar në tremujorin e tretë punësimi me të dhëna administrative ishte zgjeruar me 3% (16,000) në krahasim me tremujorin e tretë 2022.

 

Burimet nga tregu pohojnë se punësimi është përfshirë në ristrukturim të fortë vitin e fundit, ku ka rritje të papunësisë në zonat urbane si rrjedhojë e mbylljes së shumë aktiviteteve fason dhe linjat call center.

 

Rënia e euros ka dobësuar rëndë fitimet në sektorin e prodhimit. Të dhënat e fundit mbi PBB-në, që i takojnë tremujorit të tretë të vitit, treguan rënie të fortë të prodhimit në sektorin bujqësor dhe atë të industrisë.

 

Rënia e vlerës së euros në mënyrë sistematike vitet e fundit nga rreth 123 lekë mesatarisht në vitin 2021 në më pak se 99 lekë aktualisht shkaktoi humbje të konsiderueshme për sektorin e prodhimit dhe sidomos bizneset eksportuese.

 

Aktivitetet e fabrikave të prodhimit të veshjeve dhe këpucëve pësuan rënie të fortë këtë vit në të gjithë treguesit, prodhimin, shitjen dhe pagat.

 

Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e tretë të vitit 2024, indeksi i punësimit në industrinë e fabrikave të tekstilit shënoi rënie me 20.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa indeksi i pagave në të njëjtën periudhë pësoi rënie me 21%.

 

Në vështirësi nuk janë vetëm fabrikat fason, por e gjithë industria që prodhon mallra dhe shërbime për eksport, të tilla se linjat agro-ushqimore, industria automative dhe sektori call -center.

 

/Monitor (https://monitor.al/bumi-i-turizmit-nuk-ndikon-ne-punesim-rritje-anemike-ne-korrik-shtator/)


Më të lexuarat