Secondary Adv

Rritja globale do të mbetet elastike në 2025 dhe 2026, pavarësisht sfidave të mëdha

Ekonomia globale parashikohet të mbetet elastike, pavarësisht sfidave të mëdha, sipas Perspektivës së fundit Ekonomike të OECD-së.


Economic Outlook parashikon një rritje të PBB-së globale prej 3.3% në vitin 2025, nga 3.2% në vitin 2024 dhe 3.3% në vitin 2026.

Inflacioni i përgjithshëm në vendet anëtare të grupit OECD pritet të zbutet edhe më shumë, nga 5.4% në vitin 2024, në 3.8% në 2025 dhe 3.0% në 2026, duke qenë se në shumicën e këtyre vendeve, politika monetare është ende e shtrënguar. Inflacioni total tashmë është rikthyer brenda kufijve të objektivave të bankave qendrore, në pothuajse gjysmën e ekonomive të zhvilluara dhe në afërsisht 60% të ekonomive të vendeve në zhvillim.

Tregjet e punës janë lehtësuar disi, por papunësia mbetet e ulët sipas standardeve historike. Falë rritjes së pagave nominale dhe dezinflacionit, janë rritur të ardhurat reale të familjeve. Megjithatë, rritja e konsumit privat mbetet e kufizuar në shumicën e vendeve, për shkak të besimit të ulët të konsumatorëve. Nga ana tjetër, tregtia globale po merr vrull. Ajo parashikohet të rritet me 3.6% në vitin 2024.

Perspektivat e rritjes ekonomike ndryshojnë ndjeshëm sipas rajoneve. Rritja e PBB-së në Shtetet e Bashkuara pritet të jetë 2.8% në vitin 2025 dhe të ngadalësohet në 2.4% në vitin 2026.

Në Eurozonë, rritja e të ardhurave reale të familjeve, tregjet e shtrënguara të punës dhe uljet e normave të interesit, vazhdojnë të nxisin rritjen ekonomike. Rritja e PBB-së së Eurozonës parashikohet të jetë 1.3% në vitin 2025 dhe 1.5% në vitin 2026. Rritja ekonomike e Japonisë pritet të jetë 1.5% në vitin 2025 dhe më pas të bjerë në 0.6% në vitin 2026. Rritja ekonomike në Kinë do të vazhdojë të jetë e ngadaltë, me një rritje të PBB-së prej 4.7% në vitin 2025 dhe 4.4% në 2026.

“Ekonomia globale ka treguar elasticitet. Inflacioni ka rënë duke ju afruar objektivave të Bankës Qendrore, ndërsa rritja ekonomike ka mbetur e qëndrueshme”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OECD-së, Mathias Cormann. “Sidoqoftë, mbeten sfida të rëndësishme.

Tensionet gjeopolitike paraqesin rreziqe afatshkurtra, raportet e borxhit publik janë të larta dhe perspektivat afatmesme të rritjes ekonomike janë shumë të dobëta. Vendet duhet të ndërmarrin politika që ruajnë qëndrueshmërinë makroekonomike.

Ato mund ta bëjnë këtë nëpërmjet lehtësimit të politikës monetare, e cila duhet kalibruar me kujdes për të siguruar kontrollin e inflacionit dhe nëpërmjet politikës fiskale që ndërton hapësirën fiskale për të përballuar trysnitë e ardhshme të shpenzimeve. Për të rritur produktivitetin dhe për të nxitur rritjen ekonomike, ne duhet të rrisim përpjekjet për zhvillimin e aftësive, të heqim kufizimet e rrepta për investimet e biznesit dhe të zgjidhim problemin e mungesës së fuqisë punëtore”.

Economic Outlook thekson se mbetet pasiguri në gjendjen ekonomike. Konfliktet e vazhdueshme në Lindjen e Mesme mund të çrregullojnë tregjet e energjisë, të ulin besimin dhe të ngadalësojnë rritjen ekonomike. Tensionet tregtare mund të rrezikojnë rritjen e tregtisë.

Të papriturat që lidhen me rritjen ekonomike ose inflacionin, mund të imponojnë korrigjime shkatërruese në tregjet financiare. Rritja gjithashtu mund të befasojë për mirë. Për shembull, nëse falë përmirësimit të besimit të konsumatorit, fuqia blerëse rritet më shpejt se sa pritej, kjo do të nënkuptonte rritjen e shpenzimeve. Gjithashtu, nëse konfliktet e mëdha gjeopolitike do të zgjidheshin më shpejt, atëherë do të uleshin çmimet e energjisë.

Për t’u përballur me këto sfida, duhet ulur inflacioni, për të zbutur trysnitë fiskale dhe për të ndrequr problemin e mungesës së fuqisë punëtore.

Zbutja e politikës monetare pritet të vazhdojë në ekonomitë e zhvilluara, përveç Japonisë. Koha dhe shtrirja e masave të tilla duhet të gjykohen me kujdes dhe të varen nga të dhënat, duke u siguruar që inflacioni të jetë plotësisht nën kontroll.

Gjithashtu, duhen marrë vendime të forta në fushën fiskale, për të siguruar qëndrueshmërinë e financave publike dhe burimet e nevojshme për qeveritë, që këto të mund të përballojnë goditjet e ardhshme dhe trysnitë e shpenzimeve. Përpjekjet më të forta afatshkurtra për të përmirësuar rritjen e shpenzimeve dhe për të optimizuar të ardhurat, duhet të jenë gur themeli i përpjekjeve për të bërë më të përballueshme barrën e borxhit.

Nevojiten reforma strukturore ambicioze për t’i dhënë sërish vrull prodhimit. Politikat duhet të përqendrohen edhe në përpjekjet për të përmirësuar arsimin dhe aftësitë dhe për të pakësuar kufizimet në tregjet e produkteve dhe të punës, që pengojnë mundësitë për investime dhe lëvizshmëri të punës.

“Reformat strukturore janë thelbësore në hedhjen e themeleve për një rritje më të fortë dhe të qëndrueshme ekonomike”, tha kryeekonomisti i OECD-së, Alvaro Pereira. “Mungesat e fuqisë punëtore janë tashmë një sfidë për firmat në shumë shtete dhe plakja e popullsisë vetëm sa do ta përkeqësojë këtë.

 

Politikat duhet të sigurojnë që aftësitë të evoluojnë me kërkesat në tregjet e punës dhe që të rritet pjesëmarrja e fuqisë punëtore, veçanërisht e punëtorëve më të moshuar dhe grave”.

Në bashkëpunim me mbi 100 shtete, OECD-ja është një forum global që nxit politika për ruajtjen e lirive individuale dhe përmirësimin e mirëqenies ekonomike dhe shoqërore të njerëzve në mbarë botën./ Monitor (https://monitor.al/rritja-globale-do-te-mbetet-elastike-ne-2025-dhe-2026-pavaresisht-rreziqeve-domethenese/)


Më të lexuarat