Secondary Adv

Blerjet e bonove dhe obligacioneve, individët po investojnë më shumë në tregun dytësor

Investimet e individëve në ankandet e bonove dhe obligacioneve të kanë vijuar rënien edhe në tremujorin e tretë të vitit 2024.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për 9-mujorin 2024, individët investuan 23.1 miliardë lekë në tregun primar të bonove dhe obligacioneve, me një rënie prej 18.3% krahasuar me një vit më parë.

Rënie u shënua edhe në numrin e transaksioneve, që zbriti në 7786, me një rënie vjetore prej 24%. Sipas llojit të instrumenteve financiare, rënia është shtrirë njëkohësisht si në bono, ashtu edhe në obligacione.

Shifrat e AMF-së tregojnë se vlera e blerjeve të bonove në tregun primar zbriti në 17.9 miliardë lekë, me një rënie vjetore prej 17%. Ndërkohë, investimi në obligacione arriti në 5.3 miliardë lekë, 4.9% më pak krahasuar me 9-mujorin 2023.

Të dhënat e mësipërme u referohen transaksioneve të kryera nëpërmjet ndërmjetësve financiarë të licencuar nga AMF, kryesisht bankave tregtare. Megjithatë, investimi në bono thesari mund të kryhet edhe nëpërmjet sporteleve të posaçme të Bankës së Shqipërisë.

Rënia e investimit të individëve në bono dhe obligacione vlerësohet të ketë ardhur kryesisht si rezultat i rënies së mëtejshme të yield-eve gjatë vitit 2024.

Në një situatë të tillë, individët duket se po tregohen më të interesuar për të blerë tituj të emetimeve të mëparshme në tregun dytësor, që ofrojnë kthime më të larta krahasuar me emetimet e reja.

Sipas statistikave të AMF-së, individët blenë afërsisht katër miliardë lekë tituj nga portofolet e bankave, me një rritje prej 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023.

Zhvendosja e interesit të individëve nga tregu primar në atë sekondar duket se shpjegohet pikërisht me kthimet më të mira që ofrojnë instrumentet e emetuara nga qeveria në vitet e mëparshme, veçanërisht gjatë vitit 2022. Rënia e yield-eve i ka bërë këto instrumente më tërheqëse dhe ka shtuar investimet e individëve në to.

Kjo tregon një njohje më të mirë të mekanizmave dhe alternativave që ofron tregu financiar, megjithëse numri i investitorëve që ka kryer investime në tregun dytësor është relativisht i vogël, me 1280 transaksione gjithsej.

Në Shqipëri veprojnë aktualisht dhjetë shoqëri komisionere që mundësojnë investimin në titujt e qeverisë shqiptare, prej të cilave nëntë janë banka tregtare.

Sipas të dhënave më të fundit të Ministrisë së Financave, në fund të 9-mujorit 2024 vlerësohej se individët zotëronin rreth 20.2% të totalit të borxhit të brendshëm publik./ Monitor (https://monitor.al/blerjet-e-bonove-dhe-obligacioneve-individet-po-investojne-me-shume-ne-tregun-dytesor-2/)


Më të lexuarat