Secondary Adv

Shtrëngimi fiskal në vitin 2025 do të dëmtojë rritjen ekonomike të Europës

Bashkimi Europian nuk duket se ka probleme me borxhin.

Me rreth 84% të PBB-së, raporti i përgjithshëm i borxhit publik të shteteve anëtare, është shumë më i ulët se raporti 104% i Britanisë apo 123% i Amerikës, aq më tepër 255% i Japonisë.

Edhe nëse përfshihet borxhi i përgjithshëm prej rreth 1 trilion eurosh (1.1 trilion dollarë), siç janë bonot e BE-së që financojnë fondin e rimëkëmbjes pas pandemisë, raporti nuk e kalon 90% të PBB-së.

Megjithatë, kontinenti përballet me një shtrëngim fiskal në vitin 2025 dhe kjo do të nxisë përçarjet dhe do të ulë rritjen ekonomike europiane pothuajse në zero, si dhe mund të pengojë përpjekjet për të rritur shpenzimet e sigurisë dhe për të vazhduar me mbështetjen e Ukrainës.

Rritja e dobët ekonomike është një arsye e shtrëngimit fiskal. Rritja ekonomike e Gjermanisë është praktikisht zero dhe ka pak perspektivë për përmirësim përpara zgjedhjeve federale në shkurt 2025.

 

Franca dhe Italia kanë ende rritje ekonomike, por klubi OECD, i përbërë kryesisht nga shtete anëtare të pasura, parashikon se këto dy ekonomi do të rriten me vetëm rreth 1% në vitin 2025. Kjo tregon një potencial të dobët rritjeje. Do të çojë në rritje të ulët të të ardhurave tatimore, ndërkohë që kërkesat për shpenzime po shtohen.

Kërcënimi i një lufte tregtare me Amerikën do të pengojë edhe më tej rritjen ekonomike, duke marrë parasysh edhe se kontinenti është veçanërisht i prekshëm ndaj fërkimeve të reja tregtare. Bankat e investimeve rishikuan me ulje vlerësimet e rritjes ekonomike të vendeve europiane pas fitores së Donald Trump.

Një faktor tjetër është demografia. Popullsia e moshuar europiane rrit faturat e shteteve, jo vetëm nëpërmjet shpenzimeve për pensione, por edhe në sektorët e shëndetësisë dhe të kujdesit social. Një popullsi më e vjetër është gjithashtu më pak produktive dhe inovative, duke tkurrur edhe më tej rritjen ekonomike.

 

BE-ja llogarit se, ndërsa kostot rriten, shpenzimet e lidhura me plakjen e popullsisë do të konsumojnë një pjesë më të madhe të prodhimit në të ardhmen: konkretisht do të kushtojnë 1.2 pikë përqindje më shumë të PBB-së deri në vitin 2070.

Së fundmi, janë edhe rregullat e vetëvendosura për shkurtimet. Rregullorja fiskale e BE-së, e reformuar së fundmi, thotë se vendet me deficite të larta duhet të hartojnë plane për t’i ulur ato.

 

Gjermania ka “frenën e borxhit” të vendosur me Kushtetutë, e cila imponon shkurtime, edhe për deficite të arsyeshme. Insitutti Bruegel vlerëson se Franca, Italia dhe Spanja duhet të shkurtojnë deficitet e tyre me rreth 0.5% të PBB-së në vit, për të respektuar rregullat.

Efekti i shtrëngimit fiskal në vitin 2025 do të jetë një rritje edhe më e ngadaltë se sa parashikohet tani. Kina do të vazhdojë të sfidojë manifakturën europiane në tregjet anembanë botës, ndërkohë që dobësia e brendshme e vendit dëmton eksportuesit europianë.

 

Fitorja e Trump do të forcojë dhe zgjerojë politikat proteksioniste të vendosura nga paraardhësi i tij. Konsumi i brendshëm i Europës po rritet, por shtrëngimi fiskal do të pakësojë edhe më tepër rritjen tashmë të dobët ekonomike.

Shtrëngimi fiskal do të vështirësojë edhe politikën në Europë. Fushata zgjedhore e Gjermanisë, pas rënies së qeverisë së saj, do të përqendrohet në gjendjen e ekonomisë dhe se si elita politike gjermane ka lejuar që të bjerë miti i një ekonomie model që gëzonte vendi.

Përfituesit e kësaj gjendjeje ka të ngjarë të jenë skajet politike. Në Francë dhe Spanjë, ku qeveritë janë të varura nga një fije peri, shkurtimet e pashmangshme fiskale do t’i bëjnë ato edhe më pak të pëlqyera.

 

Siç u shpreh Mario Draghi, ish-kreu i Bankës Qendrore Europiane në raportin e tij mbi Europën në shtator 2024, pajtimi për reforma gjithëpërfshirëse dhe shpenzimet e BE-së, do të jetë po aq i vështirë.

Viktima kryesore në këtë mes, mund të jetë Ukraina. Fuqia ushtarake dhe shëndeti financiar i vendit varen nga mbështetja amerikane dhe europiane. Për vitin 2025, grupi G7 ra dakord për një skemë, që parashikon përdorimin e fitimeve nga asetet e ngrira të Rusisë, për të financuar rreth 50 miliardë dollarë në ndihmë për Ukrainën.

 

Nëse këto para mbarojnë, Europa do duhet të bëjë shkurtime edhe më të thella për të financuar sigurinë e Ukrainës dhe të sajën./Monitor (https://monitor.al/shtrengimi-fiskal-ne-vitin-2025-do-te-demtoje-rritjen-ekonomike-te-europes/)


Më të lexuarat