Hungaria është destinacioni numër një për investimet kineze në Europë
Péter Szijjártó, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, tha se Hungaria është tani destinacioni “numër një” për investimet kineze në Europë.
Pas një takimi me homologun e tij kinez, Wang Yi, në Pekin, ministri Szijjártó tha se zhvillimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh, ishte i rëndësishëm për qeveritë e Kinës dhe Hungarisë. Ai shtoi se Hungaria kishte përfituar shumë nga ky bashkëpunim, duke vënë në dukje se vendi ishte destinacioni për 44% të të gjitha investimeve kineze në Europë vitin e kaluar.
Kompanitë kineze kanë bërë investime prej më shumë se 4000 miliardë HUF në Hungari, tha ai. Ato projekte do të krijojnë me dhjetëra mijë vende pune dhe do të sigurojnë një themel për rritje ekonomike në vitet e ardhshme, shtoi ai.
Ai shtoi se kishin filluar bisedimet për rritjen e numrit të fluturimeve javore të drejtpërdrejta midis Kinës dhe Hungarisë. Ministri tha se numri i netëve të mysafirëve të kaluar nga turistët kinezë në Hungari, tani kishte kaluar kulmin para pandemisë.
Gjithashtu bëri të ditur se do të hapet një tjetër institut Konfuci në Hungari, në Universitetin Gyor.
Ministri tha se një grup pune për bashkëpunimin bujqësor kishte mbajtur takimin e parë për të biseduar një marrëveshje, që mund të parandalonte ndalimin e eksporteve të shpendëve ose derrit për të shmangur ndonjë shpërthim të gripit të shpendëve ose murtajës afrikane të derrit.
Ai lavdëroi përmirësimin e linjës hekurudhore Budapest-Beograd në bashkëpunim me Serbinë dhe Kinën dhe tha se pikëkalimi më i madh kufitar në Europë do të ndërtohet në Roszke, në kufirin me Serbinë. Ai shtoi se një bashkëpunim trepalësh do të ishte gjithashtu mënyra më e mirë për të ndërtuar një tubacion të drejtpërdrejtë midis Hungarisë dhe Serbisë.
Ministri paralajmëroi se tarifat ndëshkuese të Bashkimit Europian për automjetet elektrike kineze, ishin një kërcënim për ekonominë dhe konkurrencën e Europës dhe tha se bashkëpunimi europiano-kinez duhet të përmirësohet përmes bisedimeve./Monitor (https://monitor.al/hungaria-eshte-destinacioni-numer-nje-per-investimet-kineze-ne-europe-2/)