Tiranës do t’i shtohet edhe një shkollë e re, hapet tenderi 694 mln lekë për ndërtimin e saj
Bashkia Tiranë ka shpallur hapjen e tenderit për ndërtimin e një shkolle të re në rrugën “3 Dëshmorët”.
Në godinën e kësaj shkolle do të përfshihet arsimi 9-vjeçar, ai i mesëm dhe kopështi. Fondi limit i përllogaritur i këtij projekti është 694 milionë e 106 mijë lekë.
Sipas dokumentit të tenderit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, projekti do të konsistojë në projektimin e nje godine të re, për të zhvilluar ambientet e mësimdhënies për nxënës të arsimit te mesëm të lartë, gjithashtu dhe për arsimin parashkollor.
Shkolla është projektuar me 3 kate mbi tokë. Në katin përdhe do të pozicionohet administrata, salla e mësuesve, hapësirat ndihmëse (depo, mirëmbajtje, hapësira teknike) laboratorët, si dhe palestrën me ambientet e saj ndihmëse.
Në këtë kat janë të vendosura edhe 3 shkallë nga të cilat 2 përfundojnë deri në katin e dytë të shkollës, ku njëra nga shkallët shërben edhe si shkallë antizjarr, ndërsa shkalla e tretë është konceptuar në formën e një hapësire rekreative, ku studentët mund të qëndrojnë për çlodhje ose për të lexuar. Ndërkohë, në këtë kat shërbimet e tjera që i nevojiten janë dhe nyjet higjenosanitare.
Në katin +1 dallojmë klasat e mësimit, ambientin e psikologut. Gjithashtu, zhvillohet edhe pjesa e palestrës, si dhe pjesa e ballkonit për çlodhje.
Ndërsa, për përballimin e kapacitetit të numrit të nxënësve në zonë për shkollën e mesme të lartë tipi 4, parashikohen 21 klasa të zakonshme mësimi me kapacitet 30-32 nxënës dhe 4 laboratorë (kimie, bilogjie, fizike, informatike).
Numri i nxënësve për shkollën parashikohet të variojë midis 900-960.
Ndërkohë, për kopshtin janë konceptuar 6 klasa me kapacitet 24 fëmijë (klasa përfshin zonën e ngrënies, lojës, mësimit, fjetjes). Zyrat për psikolog, infermieri, administratë, kuzhinë si dhe mjediset ndihmëse për stafin. Kopshti ka kapacitet maksimal prej 144 fëmijësh.
Afati i fundit për paraqitjen dhe hapjen e ofertave është deri më date 05.02.2025. /Scan