Tirana Moons tjetër instalacion në kryeqytet, hapet tenderi me vlerë 39 mln lekë
Tirana pritet të ketë një tjetër instalacion këtë herë të parashikuar tek Sheshi Nënë Tereza përballë me Politeknikun.
Bashkia e Tiranës njoftoi hapjen e një procedure për këtë instalacion me vlerë 39 milionë lekë apo 390 mijë euro që është titulluar si Tirana Moons apo “Hënët e Tiranës”.
Sipas shpjegimit në relacionin arkitektonik struktura modulare “Hënë” është një pavijon sferik i bërë kryesisht prej druri dhe pëlhure.
Sipas shpjegimit të bërë në këtë dokument moduli I “hënës” është i përbërë nga elemente të cilët vendosen mbi njëri-tjetrin në tre faza montimi dhe konceptimi.
“Fillimisht në fazën 1 moduli përbëhet nga 5 unaza druri të laminuar me teknikë kryq të cilat bashkohen me nyje unazore me njëra tjetrën dhe me bazamentin e betonit me anë të unazave me përshtatje.
Ky bazament qëndron në mesin e çdo unaze dhe vendoset mbi tokë. Në këtë montim unazash më pas në fazën 2 vendosen platforma e dyshemesë e drunjtë mbi një strukturë kuadratike dhe lidhen me nyje kapëse me bazamentin. Gjithashtu vendoset dhe moduli I shkallës së drunjtë në bazën e strukturës së drunjtë.
Në krye të strukturës më pas në fazën 3, vendosen tenda e cila ka një material të papërshkrueshëm nga uji, e cila fiksohet në një strukturë alumini nëpërmjet nyjeve lidhëse në kulm dhe në fund të tendës” shpjegohet në dokument.
Koha e zbatimit të kontratës parashikohet të jetë 6 muaj teksa afati i fundit për paraqitjen e ofertave nga ana e operatorëve të interesuar është 21 janari./ Monitor (https://monitor.al/tjeter-instalacion-ne-kryeqytet-tirana-moons-vendoset-tek-politekniku/)