
Tregu i sigurimit të pronës ngelet i plogësht, ligji për sigurimin e detyrueshëm
Tregu i sigurimit të pronës nga fatkeqësitë natyrore është shfaqur i plogësht edhe gjatë vitit 2024.
Sipas të dhënave nga Autoritetit i Mbikëqyrjes financiare (AMF), për dhjetë muajt e 2024-s primet e shkruara bruto të sigurimit të pronës nga zjarri dhe forcat e natyrës kishin vlerën e 1.94 miliardë lekëve, me një rritje prej 3.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e këtij produkti është ndjeshëm më e ulët krahasuar me rritjen mesatare prej 7.5% të tregut të sigurimit të jo-jetës. Kjo ka bërë që pesha e produktit të bjerë në 10.4% të volumit të përgjithshëm të primeve të shkruara bruto, nga 10.8% që kishte qenë një vit më parë.
Megjithëse ligjërisht sigurimi i pronës nga fatkeqësitë natyrore është vullnetar, në praktikë pjesa më e madhe e kontratave të sigurimit për këtë produkt janë të lidhur me pronat e lëna si kolateral për kreditë bankare. Në rastet kur kredia është e siguruar me kolateral, sigurimi i tij është kusht i vendosur nga banka për huamarrësin, ndaj edhe në këtë rast bëhet fjalë për një produkt faktikisht të detyrueshëm.
Rritja e shpejtë e kredisë për pasuri të paluajtshme në vitet e fundit ka mbështetur edhe rritjen e tregut të sigurimit të pronës, por është e qartë se përmasat e tij ngelen shumë modeste dhe zënë një peshë të ulët kundrejt volumit total të tregut të sigurimeve në vend.
Qysh prej vitit 2019, kur Shqipëria u godit nga dy tërmete të forta, qeveria është në dilemën e miratimit të një ligji për sigurimin e detyrueshëm të pronave, të paktën nga tërmetet. Por, megjithëse kanë kaluar pesë vjet, mazhoranca ende nuk e ka ndarë mendjen ta çojë për miratim një ligj të tillë.
Në gusht të vitit 2023, një projektligj për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet u hodh për konsultim publik. Projektligji parashikonte detyrimin për të siguruar të gjitha banesat dhe seksionet që ndodhen brenda banesave që përdoren si njësi shitje, zyra apo për qëllime të ngjashme. Projektligji parashikonte se për shtresat sociale në nevojë, primi i sigurimit të detyrueshëm do të financohej nga buxheti i shtetit.
Sigurimi duhet të mbulonte vetëm dëmtimet në banesë, por jo dëm tjetër pasuror (mobiliet, pajisjet e brendshme, etj) dëmet në njerëz, përfshirë vdekjen, apo lloje të tjera të dëmeve.
Shuma e sigurimit ose limiti i përgjegjësisë do të përcaktohej me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Bordit Drejtues të Fondit Kombëtar të Tërmeteve, nëpërmjet ministrit përgjegjës për financat.
Pas përcaktimit të shumës së sigurimit, niveli i primit të sigurimit duhet të llogaritej me metodologji aktuariale, bazuar në modelin e rrezikut nga tërmetet të zhvilluar për Shqipërinë.
Skema e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet nuk do të përfshinte kompanitë private të sigurimeve, por do të menaxhohej nga Fondi Kombëtar për Tërmetet, i organizuar në formën e një shoqërie aksionare, në pronësi të shtetit.
Skema e propozuar në projektligj ishte në vija të përgjithshme e ngjashme me modelin e ndjekur nga Turqia dhe mbështetet në sugjerimet e Bankës Botërore.
Megjithatë, projektligji i vitit 2023 u prit me rezerva edhe nga vetë AMF-ja. Pritej që Ministria e Financave të dilte me një variant të rishikuar të projektligjit, por megjithëse ka kaluar më shumë se një vit, ende nuk ka një variant të ri të tij.
Duket se vendosja e sigurimit të detyrueshëm të banesave është lënë mënjanë dhe ka pak gjasa që të ketë zhvillime të reja, të paktën deri pas zgjedhjeve të vitit 2025./Monitor (https://monitor.al/tregu-i-sigurimit-te-prones-ngelet-i-plogesht-ligji-per-sigurimin-e-detyrueshem-eshte-harruar/)
Më të lexuarat








