Secondary Adv

Ngadalësimi i turizmit frenoi rritjen e trafikut të internetit nga rrjetet celulare

Përdorimi i internetit nga rrjetet celulare pësoi një frenim në tremujorin e tretë të vitit të kaluar. 

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), trafiku total i internetit nga rrjetet celulare u rrit me 0.5% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2023. Frenimi i rritjes së përdorimit të internetit mund të jetë një tregues indirekt i ngadalësimit të rritjes së numrit të turistëve të huaj gjatë sezonit veror 2024.

 

Megjithatë, konsumi mesatar i internetit për çdo përdorues u rrit në 8.54 GB (gigabyte) internet në muaj, në rritje me 7.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo nënkupton se konsumi për përdorues ka vazhduar të rritet, por stanjacioni i trafikut total mund të shpjegohet me rënien e numrit të përdoruesve aktivë.

 

Numri i përdoruesve të shërbimeve celulare (që në fakt matet si numër i kartave SIM ose i numrave celularë aktivë) shënoi rënie në tremujorin e tretë të vitit, me 6.8% më pak krahasuar me një vit më parë.

 

Ndërkohë, edhe thirrjet zanore nga rrjetet celulare vazhduan tendencën rënëse disavjeçare.

 

Trafiku i thirrjeve dalëse u tkurr me 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Ndërsa numri i mesazheve të shkruara shënoi një rritje të lehtë me 2.5% krahasuar me një vit më parë.

 

Gjatë tremujorit III 2024, çdo abonent e përdori mesatarisht celularin për 125 minuta në muaj, 0.8% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Ndërkohë, numri i mesazheve të shkruara ishte 11 për përdorues në muaj, me një rritje prej 10% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Megjithëse janë zëvendësuar në një masë të madhe nga aplikacionet OTT, të mbështetura te interneti, shërbimet e mesazheve të shkruara kanë ende potenciale përdorimi si shërbim për bizneset, për qëllime marketingu ose si element i sigurisë së informacionit (për shembull, dërgimi i kodeve verifikuese për kryerjen e transaksioneve financiare).

 

Megjithatë, në përgjithësi kapacitetet transmetuese të internetit përbëjnë gjithnjë e më shumë themelin në ofrimin e shërbimeve celulare.

 

Në nëntor të vitit të kaluar, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dha autorizimet individuale për përdorimin e frekuencave në brezin 3,5 GHz për sipërmarrësit e komunikimeve elektronike ONE Albania dhe Vodafone Albania, duke i hapur rrugën implementimit për herë të parë të teknologjisë 5G në Shqipëri.

 

Të dy operatorët paraqitën oferta në vlerën minimale të kërkuar nga rregullorja e tenderit, me 5 milionë e 436 mijë euro secili. Në total, buxheti i shtetit ka përfituar 10 milionë e 872 mijë euro.

 

Në përputhje me kushtet e Autorizimeve Individuale, sipërmarrësit janë të detyruar që, përmes këtyre frekuencave, të mbulojnë me shërbim 55% të popullsisë deri në fund të vitit 2027 dhe 85% të popullsisë deri në fund të vitit 2030. Brenda vitit 2025, sipërmarrësit kanë detyrimin të sigurojnë mbulimin e porteve, aeroporteve dhe disa hapësirave të tjera me rëndësi social-ekonomike.

 

Sipas AKEP, mes kushteve të tjera të përdorimit të këtyre frekuencave, sipërmarrësit One Albania dhe Vodafone Albania marrin përsipër angazhimin që të negociojnë me sipërmarrës të tjerë, si operatorët virtualë (MVNO-të), aksesin në kapacitetet e tyre radio, në funksion të politikës rregullatore të AKEP-it për të nxitur konkurrencën në nivel shërbimesh.

 

Në teori, vlerësohet gjenerata e sistemeve celulare 5G në teori mund ta rrisë shpejtësinë e të dhënave të rrjeteve 4G me më shumë se 10 herë, duke përmirësuar teknikat e përdorimit te frekuencave. Në praktikë, po tu referohemi të dhënave nga matjet e operatorëve që kanë implementuar rrjetet 5G në vitet e fundit, ndryshimet në praktikë nuk janë të këtyre përmasave.

 

Megjithatë, rrjetet 5G pritet të ofrojnë kapacitete më të mëdha dhe perspektiva më të zgjeruara sidomos në zgjerimin e shërbimeve për bizneset. Ato do të krijojnë mundësi për të ofruar zgjidhje të avancuara për komunikimin, automatizimin dhe kontrollin në distancë në shumë sektorë të ekonomisë./Monitor (https://monitor.al/ngadalesimi-i-turizmit-frenoi-rritjen-e-trafikut-te-internetit-nga-rrjetet-celulare/)


Më të lexuarat